Pikat e Avdullah Hotit për dialogun Kosovë-Serbi

Sipas Hotit, procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar katër pika për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai përmes një shkrimi në facebook është shprehur se LDK i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe se janë të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve.

“1. Procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit. Çdo format tjetër i zhvillimit të dialogut e bënë atë jo legjitim dhe jo kushtetues. Pasi marrëveshja përfundimtare kërkon 2/3 e votave të Kuvendit për tu ratifikuar, atëherë edhe platforma për dialog është legjitime dhe kushtetuese vetëm kur miratohet me 2/3 e votave në Kuvend.

2. Duke qenë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në dialog, atëherë janë dy mundësi. E para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese. E dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend.

3. Në cilëndo variantë, të gjithë ta kenë të qartë se integritetit territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen. Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor. Me vullnet të lirë, në dakordim me partnerët ndërkombëtarë, më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë. Këtë vendim shteti i Kosovës e ka mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare.

4. LDK i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve”, ka shkruar Hoti në facebook.

Ekipi negociator dje pasdite ka mbajtur një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës për harmonizimin dhe finalizimin e platformës për dialogun me Serbinë. Bashkëkryesuesi i ekipit, Fatmir Limaj ka thënë pas takimit se janë duke punuar për finalizimin e platformës dhe beson se në tri ditët e ardhshme do ta përmbyllin dhe deri në fund të javës t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës në një seancë për diskutim.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dje në mesditë ka pritur në takim të përbashkët Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj, Bashkëkryesuesin e Delegacionit Shtetëror për Dialog, Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e Delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin. Në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të Dialogut, me theks të veçantë për Platformën e Dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës./21Media

Back to top button