Mustafa: Brezovica nuk është përcaktuar si projekt strategjik

Berisha: Mos definimi i pronave bënë që të kthehen të zhgënjyer shumë investitorë

Pozita e Kosovës në aspektin ekonomik nuk është e shkëlqyer dhe nuk i është dhënë pozitë meritore këtij aspekti, ndërkohë që nevojitet që në të gjitha ambasadat e Kosovës të ketë zyrtarë të veçantë për çështje ekonomike.

Kështu ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, gjatë raportimit para Komisionit për Punët të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, lidhur me sektorin e investimeve strategjike dhe për sfidat të cilat paraqiten gjatë zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike.

Mustafa duke folur për të arriturat e kësaj agjencie siç janë përkrahja e turizmit, projekte të ndryshme për ndërmarrje të ndryshme, organizime të panaireve të ndryshme, tha se përmes Ligjit për Investime Strategjike janë eliminuar disa pengesa burokratike për investitorët strategjikë.

Kryetarja e Komisionit për Punët të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani ka pyetur Mustafën se ku ka ngecur diplomacia ekonomike e Kosovës, si dhe për Brezovicën se a është kualifikuar si investim strategjik.

Për diplomacinë ekonomike Mustafa tha se pozita e Kosovës nuk është e shkëlqyer dhe nuk i është dhënë pozitë meritore këtij aspekti, por sipas tij duhet që në të gjitha ambasadat e Kosovës të ketë zyrtarë të veçantë për çështje ekonomike.

Kurse, për Brezovicën ai tha se në kuadër të ligjit për investime strategjike kjo qendër rekreative nuk është kualifikuar si projekt strategjik. Sipas tij KIESA është duke u munduar që ta riaktivizojë projektin e Brezovicës me qëllim të promovimit tek investitorët strategjik, por deri tani nuk kanë pasur sukses.

Anëtarja e Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike nga radhët e LDK-së, Donika Maloku ka pyet rreth licencave të eksplorimeve në miniera, të cilat janë paraqitur si pengesa për disa investitorë nga Kanadaja në këtë sektor.

Maloku ka pyetur Mustafën se pas hyrjes në fuqi të ligjit për investime strategjike a është shtruar nevoja që të ndryshohen ligjet apo plotësohen për të lehtësuar procedurat për investime në Kosovë

“Disa investitorë potencialë që vijnë nga Kanadaja kanë shprehur dëshirën që të investojnë në çështjen e minierave në Kosovë, por ligji për investime strategjike nuk ua mundëson atyre që të marrin fillimisht licencat e eksplorimit për t’i konfirmuar rezervat e pastaj për të menduar seriozisht për t’i hartuar projektet e tyre për investime serioze në Kosovë. Prej kësaj rrjedh pyetja, se a mendoni se pas hyrjes në fuqi të këtij ligji është shtuar nevoja që të plotësohet ose ndryshohet ligjet e tjera dhe të harmonizohen me këtë ligj”, tha Maloku.

Lidhur me këtë drejtori i KIESA-s, Besian Mustafa tha se rishikimi i disa ligjeve dhe shtimi i një neni mund t’i japë kah pozitive projekteve strategjike. Sipas tij me këto ndryshime legjislative do të futej edhe prridhua për eksplorim do të përfshihet në projektin e investimit strategjik.

“Ndryshimet legjislative që do të ishin të mira në këtë drejtim është pra një rishikim i disa ligjeve ku ne si ministri dhe agjenci mund të ofrojnë edhe mbështetjen tonë duke identifikuar saktësisht, se cilat ligje dhe cilat nene do të mund të ndryshohen të paktën duke iu dhënë një kah me përkrahëse pozitive për projektet që klasifikohen për investime strategjike, pra mund të plotësojmë ndryshojmë disa ligje duke u shtuar një nen të veçantë për projektet strategjike ku afat kohore dhe procedurat shkurtohen në mënyrë drastike, një nga to do të ishte edhe ajo që e përmendi edhe deputetja Maloku e që është licencat e eksplorimit”, tha ai.

Kurse, anëtari i këtij komisioni nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri tha se strategjia për investime strategjike ka munguar vazhdimisht në Kosovë, andaj sipas tij është vështirë të dihet se si do të jetë ekonomia e Kosovë pas 20 vitesh.

Ai tutje kërkoi që të ketë një interesim më të madh në industrisë pasi sipas tij kjo do të ndihmonte edhe shtimin e vendeve të punës.

Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, ka shfaqur shqetësimin se investitorët potencialë kthehen të zhgënjyer, pasi që ka pengesa me definimin e pronësisë së tokave.

Mos definimin e pronësisë së pronave për investime strategjike e sheh mjaft sfidë të madhe për Kosovën edhe drejtori i përgjithshëm i KIESA, Besian Mustafa.

Ai tha se si agjenci pjesërisht e kanë zgjidhur këtë çështje duke paguar të gjitha shpenzimet dhe punët rreth tokave të ndryshme, pavarësisht asaj se nga kush ato menaxhohen.

 

Back to top button