Qumështarët i gëzohen vendimit të Qeverisë

Qumështarët shpresojnë se do të zgjasë vendimi i Qeverisë për mallrat e Serbisë

Lajmi i djeshëm që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur masë mbrojtëse prej 10% për importin e produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina, është lajm i gëzueshëm për të gjithë qumështarët e vendit.

“Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe jemi të gëzuar që zëri jonë më në fund është dëgjuar. Falënderojmë ministrin Shala për angazhimin që ka treguar kohëve të fundit në këtë drejtim dhe presim edhe vendime tjera me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore”, bëhet e ditur në komunikatën e kësaj Shoqate.

Ata u bëjnë thirrje edhe institucioneve tjera përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut që të kryejnë obligimin e vet ligjor dhe të krijohet hapësirë për punë.

“Megjithatë, duke pasur parasysh frikën nga përvoja e mëhershme, kur një vendim i MTI-së për masë mbrojtëse të prodhimeve të qumështit ndaj importit nga Bosnjë dhe Hercegovina nuk zgjati më shumë se një javë, ne shpresojmë fuqishëm që ministri Shala do t’u qëndrojë presioneve dhe ky vendim të mbetet në fuqi deri në përmbushjen e plotë të reciprocitetit tregtarë me këto dy vende”, bëhet e ditur në komunikatën e Shoqatës së Qumështarëve.

Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Back to top button