Rahovecianët ekspozojnë produktet e tyre në festivalin Agrofesta

Vehapi tha se ky festival po shfaq vlerat e tokës së Krushës së Madhe

Edicioni i katërt i festivalit të agrikulturës “Agrofesta”, është mbajtur sot në Krushë të Madhe të Rahovecit, ku janë ekspozuar prodhimet agrare të këtij fshati dhe rrethinë.

Festivali është organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe po ashtu mbështetet edhe materialisht nga Komuna e Rahovecit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se ky festival po shfaq vlerat e tokës së Krushës së Madhe dhe se duhet të punohet pa rreshtur që këto vlera të rriten. Vehapi shtoi se edhe institucionet lokale dhe qendrore duhet të ndihmojnë sa më shumë që vlerat agrare të rriten.

“Kjo është një përpjekje unë do të thoja modeste për të prezantuar, për të ekspozuar punë të cilën e bëjnë fermerët e Krushës së Madhe dhe të rrethinës, dhe vlerat e kësaj pune, vlerat e kësaj toke në të cilën ne gjendemi, që janë vlera shumë të mëdha dhe ne duhet të punojmë pa reshtur që ato vlera t’i rrisim. Që ta bëjmë këtë duhen përpjekje më të mëdha edhe të institucioneve lokale e sidomos të atyre qendrore” tha Vehapi.

Kryetarii fshatit Krushë e Madhe dhe njëkohësisht koordinator i festivalit “Agrofesta”, Selami Hoti tha se fermerët krushjan dhe jo vetëm, ballafaqohen me probleme dhe sfida të ndryshme të cilat pengojnë zhvillimin e agrikulturës dhe zhvillimin e vendit. Disa prej atyre problemeve, Hoti tha se janë mungesa e serrave, materialet e shtrenjta për bujqësi, pronat e vogla dhe problemet juridiko pronësore etj.

Ai shtoi se këto probleme ndikojnë edhe në bilancin e tregut dhe gjithashtu shtyjnë fermerët të migrojnë jashtë vendit me shpresë të një jete më të mirë.

Ndër të ftuarit tjerë ishte përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Hysni Thaqi, i cili u shpreh se deri vonë Ministria e Bujqësisë është njohur për vjeljen e rrushit, mirëpo tani ka më shumë produkte me të cilat fermerët po shfaqin vlerat e tyre.

Thaqi gjithashtu shtoi se buxheti po rritet nga viti në vit por në mënyrë që ky buxhet të vazhdojë të rritet duhet të angazhohen vendimmarrësit, si dhe Kuvendi i Kosovës.

Në mesin e fermerëve dhe kompanive agrikulturore që shfaqen produktet e tyre sot ishte edhe Kooperativa Bujqësore “Krusha”, punëtoret e së cilës kishin sjelle speca, ajvar, si dhe turshi.

Sadbere Hoti, një prej punëtoreve të koorporatës tha për KP, se ky festival ka rëndësi pasi që këto produkte janë organike dhe natyrale dhe se janë të mira për shëndetin. Ajo gjithashtu shtoi se edhe gjeneratat e reja të Krushës e vlerësojnë ushqimin tradicional dhe e konsumojnë atë.

Mes vizitoreve ishte edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Vesli i cili vizitoi dhe përshëndeti fermerët dhe i përgëzoi ata për punën e tyre. Përveç fermerëve ai përshëndeti edhe disa nga banorët e fshatit.

Festivali përfundon sonte në orët e vona me një koncert.

Back to top button