“Ura e përgjakur” fsheh historinë e tmerrshme

“Ura e përgjakur” fsheh historinë e tmerrshme

Fshati Rakovinë në komunën e Gjakovës sot më dhimbje kujton masakrën makabre nga forcat e ushtrisë serbe.  U bënë 21 vjet nga vrasja e Shaban Kelmendit (45 vjeç) se bashku me dy djemtë e tij, Besimin (13 vjeç) dhe  Haxhiun (11 vjeç). Po këtë ditë u vra edhe Hysen Kurti  (45 vjeç) me bashkëshorten Sanijen (40 vjeç).

Shaban Kelmendi ishte pjesëtar i UÇK-së në furnizim, por në kohën kur u vra ka qenë duke kërkuar furnizim për familjen. Ai me dy djemtë kishin qenë në rimorkio ndërsa çifti Kurti ishte në traktor, kur forcat serbe kryen aktin barbar. Ura e përgjakur në fshatin Rakovinë mbeti simbol i kujtimit të kësaj ngjarjeje.

Shaban Kelmendi, pas vetës la gruan Mejremen dhe dy djemtë, në atë kohë 9 dhe 4 vjeçar. Ndërsa çifti Kurti pas vetës la 6 jetim, 4 djem e dy vajza.

Tani 21 vjet më vonë, familja e Shaban Kelmendit jetojnë në një banesë sociali në Gjakovë dhe djali i vogël i Shabanit ka problem me shikimin. Ndërsa, fëmijët e çiftit Kurti pas kësaj ngjarje janë marrë nga axhallarët e tyre në Zvicër dhe jetojnë atje.

Në kujtim të viktimave para dy vjetësh është ngritur një lapidar. Ky lapidar është ndërtuar nga familjaret e dy familjeve bashkë me banorët e fshatit dhe kap shifrën prej 40 mijë eurosh. Por, djali i vëllait të Shabanit që ka marrë këtë iniciativë thotë së nuk kanë marrë përkrahje nga institucionet. “As me me na nderu nuk kanë ardh e nuk po vinë”, tha Hysen Kelmendi.

Kjo ngjarje makabre tronditi botën atëkohë. Data 24 janar 1999 u gdhend në historinë e dhimbshme të luftës në Kosovë./21Media