"Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme"

Loading...

“Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në pritje me trupin diplomatik ka folur edhe për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm.

Rama i ka quajtur injorantë të gjithë ata që sipas tij, Gent Cakës i kanë bërë një prezantim të rrejshëm.

“Më vjen sinqerisht keq, që pasuesi i tij, një shqiptar i ri nga Prishtina, me një dituri të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, gjëra të cilat do të keni mundësinë t’i konstatoni nga afër, e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i ardhshëm i Evropës dhe Punëve të Jashtme në një mënyrë tejet të pazakonshme në pazakonshmërinë e mjedisit tonë politik dhe publik. Paragjykimet, balta e terrenit politik shqiptar dhe mllefi i pangushëllueshëm i injorantëve kanë bërë për të, prezantimin më të rrejshëm publik që mund të imagjinohet, përpara se ai vetë të hapë gojë si ministër”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se e kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për të paktën 3 arsye:

1-Sepse është shumë i ri, domethënë, nuk i përket botës së tyre të vjetër;

2-Sepse është shumë i pastër, domethënë, nuk mund të akuzohet për asgjë;

3-Sepse është nga Prishtina, domethënë, që një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, por, ama, si kosovar mund të përdoret si mish për top nga të gjithë ata që haptazi, ose nën rrogoz i janë kundërvënë egërsisht, me vandalizëm verbal, dialogut Kosovë-Serbi.

“Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, as si i ri, por si një shqiptar evropian, pasionant për dijen, për politikën dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon me mua, shtetas i Republikës së Shqipërisë, fillimisht si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër, që në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme ka mbuluar integrimin. Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është një keqdashës, ose është një keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se si kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë ndonjëherë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë, që i takon lidershipit demokratikisht të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në shtetin e Kosovës, në radhë të parë.