Rama-studentëve: Dialog për më shumë se 8 pika, mos dëgjoni llogjet e Monës e Lulit

Rama iu drejtohet studentëve

Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama u ka bërë një tjetër ftesë këtë të mërkurë studentëve për të dialoguar.

Përmes një postimi në “Facebook”, kryeministri u shpreh se 8 pikat e propozuara nga studentët janë vetëm pikënisja e një faze të re i transfomimit të botës universitare. Rama ka shkruar se ky ndryshim mund të bëhet vetëm përmes një pakti mes studentëve dhe qeverisë.

“Të dashur studentë protestues, gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim. 8 PIKAT janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë VETEM SE BASHKU, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë. Adresimin e 8 PIKAVE duhet të nisim pa humbur kohë.”, ka shkruar kryeministri shqiptar në facebook.

Rama më tej u ka bërë me dije studentëve se është gati të takohet me ata kur e ku të duan për të dialoguar. Sipas Ramës nuk duhet të humet më kohë me llogjet e opozitës nëse studentët duan të ulin tarifat brenda Vitit të Ri, raporton vizionplus.

“Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktorreshë Monës e të Profesor Lulit. Unë jam gati dhe s’kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 PIKA:-)”, ka shkruar Rama.

Studentët kanë nisur këtë të mërkurë ditën e nëntë të protestës. Një pjesë e tyre lajmëruan se do të protestojnë edhe sot para Ministrisë së Arsimit. Por, një pjesë tjetër e të rinjëve janë grumbulluar para kryeministrisë. Madje disa të rinjë kanë kaluar natën aty edhe pse në temereatura shumë të ulëta.

Back to top button