Ramaxhiku u intervistua nga Komisioni

Ramaxhiku u intervistua nga Komisioni

Komisioni Hetimor Parlamentar ka vazhduar intervistimet me zyrtarët e PTK-së, ku kësaj radhe është përgjigjur zyrtari ligjor në Telekom, Sabaudin Ramaxhiku.

Ai para komisionit tha se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë direkt në ndonjë dispozitë të marrëveshjes me Z-Mobile.

Ramaxhiku nuk ka dashur të përgjigjet nëse sot do të nënshkruante një kontratën me Z-Mobile.

Deri tek ardhja e Merovcit nuk ka pasur asnjë aktivitet. I kam propozuar bordit që të formojë edhe një ekip numër 2 që do shkonte si kontroll pas vërejtjeve. Unë kam arritur si kryeshef të krijoj një ekip me staf ekskluziv. Në afat shumë të shkurtër kemi dorëzuar një raport që është protokolluar dhe i është dorëzuar bordit të drejtorëve dhe prej dy raporteve ka mbisunduar se raporti i parë është më kompetent dhe është vazhduar me marrëveshje. Ky raport ka përmbajtur disa rezerva tona sa i përket arkitekturës së marrëveshjes”, tha Ramaxhiku.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, pyeti nëse para-marrëveshjet e bëra kanë të bëjnë me krim të organizuar, ndërsa Ramaxhiku nuk pati përgjigje për këtë. E deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu pyeti se pse ky i fundit nuk ka bërë kërkesë për ndërprerje të kontratës kur ka pasur shkelje.

Haxhiu pyeti sërish nëse Telekomi do të ishte kompani e Ramaxhikut, a do të kishte nënshkruar anekset e kontratës. Në këtë pikë, Ramaxhiku u shpreh se nuk ka parë të ketë pasur shkelje.

A e kishe nënshkruar sot këtë marrëveshje me Z-Mobile dhe sa e keni pagën ju“, pyeti Haxhiu.

Ramaxhiku nuk pati përgjigje sa i përket pyetjes së parë, teksa bëri të ditur se paga e tij është 2 mijë e 300 euro.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, pyeti se pse ka mundur të zgjidhet grupi i parë, kur është vërtetuar se grupi i dytë ka qenë më i saktë.

Zyrtari ligjor në Telekom tha se kjo mund të ketë ardhur si rezultat i aftësive bindëse të grupit të parë.

Haxhiu pyeti nëse është në dijeni të raportit të auditorit Gent Raci, ndërsa Ramaxhiku u shpreh se nuk është në dijeni të ndonjë raporti që ka nxjerrë të metat.

Ajo pyeti po ashtu edhe për atë se nëse është në dijeni që Genc Lamaj ka qenë në favor të Z-Mobile në arbitrazh, gjë të cilën e pohoi zyrtari Sebaudin Ramaxhiku.

Deputeti Milaim Zeka ngriti pyetje të tilla se si Ramaxhiku ka ardhur në krye të posteve udhëheqëse në Telekom.

Si prokuror që ke qenë, a ka të vërteta në spekulimet se keni mundur t’i bëni shantazh politikanëve për të arritur një post udhëheqës në Telekom“, tha ai.

Ramaxhiku nuk u përgjigj direkt në këtë pyetje, teksa shtoi se puna e tij ka filluar në vitin 2001.

Zeka paraqiti para komisionit dhe para mediave një listë të gjatë të datës 22 dhjetor 2016, ku Agron Mustafa kishte shpenzuar shuma marramendëse në vende të ndryshme të botës, ku në faturat e paraqitura aty del se kishte udhëtuar në Monako, Austri, Amerikë dhe Turqi.

Sipas Zekës, është e paqartë se si përveç shumave marramendëse, kanë ndodhur të gjitha këto brenda një dite. Por, Ramaxhiku mohoi të ketë nënshkruar ndonjë faturë të tillë.

Ju siguroj se nuk kam nënshkruar asnjë faturë të tillë. Nuk e di ku është qëllimi, a dëshironi të më njollosni edhe mua apo çfarë? Ju lutem ndërpriteni këtë“, reagoi ai.