Manoilovski i BDI-së dëshiron të bëhet urë lidhëse për zgjidhje

Manoilovski i BDI-së dëshiron të bëhet urë lidhëse për zgjidhje

Me qëndrime kontradiktore dhe blerje të kohës, vazhdoi seanca konstituive për zgjedhjen e përbërjes së Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Deputetët e VMRO-DPMNE sërish përmenden se duhet të hiqet dorë nga platforma e partive shqiptare dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Unë dua të ju them se Platforma e Tiranës është inzhinjering post zgjedhor sepse dëshirojnë që kolegët e opozitës të bëjnë që 49 deputetë më shumë se 51. Për këtë arsye u bë kjo platformë post zgjedhore, që të mund të bëhen 67 më shumë se 57. E jo, un them që 51 janë më shumë se 67”, tha Vlladana Aviroviq nga Koalicioni VMRO-DPMNE.

Por kundër saj u përgjigj deputeti i BDI-së, Ejup Alimi duke theksuar se platforma nuk është e Tiranës, por është dokument i përbashkët i partive shqiptare që del nga kërkesat e popullit shqiptar në Maqedoni.

Gjatë seancës kishte edhe ndërprerje për konsulta dhe gjetjen e zgjidhjeve.
Mileva Gjeorgjievska nga LSDM-ja theksoi se deputetët e VMRO-DPMNE-së duhet ta pranojnë se tani janë në opozitë.

“Nuk shoh përse keni nevojë për kaq nervozë të madhe, shqetësim dhe frikë tek deputetët e VMRODPMNE. Ju duhet tani të përballeni me faktin se ju tanimë nuk jeni në qeveri, por jeni në opozitë. E di që e keni të vështirë ta pranoni këtë, por do të duhet patjetër”, tha Miela Gjeorgjieva, LSDM.

Branko Manoilovski i BDI-së i cili për herë të parë e mori fjalën, kërkoi deputetët t’i lënë interesat partiake anash dhe të gjithë së bashku, të punojnë për të mirën e Maqedonisë. Ai theksoi se do të kishte dëshiruar që të bëhet urë lidhëse mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Do të doja të bëhem një urë lidhëse mes shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe në të vërtetë jam, sepse jam me prejardhje shqiptar por jam shqiptar i maqedonizuar. Kam jetuar si maqedonas, kam shkuar në shkolla maqedonase. Qetësohuni, qetësohuni të gjithë partitë dhe lëni interesat partiake në një anë. Të punojmë për Maqedoninë, të zgjedhim problemet e Maqedonisë”, u shpreh Manoilovski.

Pas pauzës 15 minutshe, të gjithë deputetët e BDI-së lëshuan kuvendin për të marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë qendrore të kësaj partie./21Media