“Rezoluta nuk e ndalon negocimin e çështjeve që kanë për objekt diskutimi territorin e Kosovës”

“Kushtetuta jonë duhet të ndryshohet për ta mundësuar një referendum”

I ftuar në emisionin debatues “Click” në RTV21 Taulant Kryeziu nga Instituti Epik ka thënë se kur të përfundon raporti ynë me Serbinë në të do të shkruhen shkronja të historisë.

“Gjithë ata të cilët janë pjesë e këtij projekti duhet ta kenë të qartë që po e përfundojnë përpjekjen shekullore të shqiptarëve për ta zgjidh problemin me Serbinë. Unë mendoj se kjo çështje për tu zgjidh don një konsensus të gjerë të partive politike shqiptare. Nuk mund të themi që kemi ndërtu konsensus politik për temën më vitale dhe më të rëndësishme që e ka ky vend kur kemi afër 50 deputet shqiptarë që nuk janë pjesë e këtij projekti. Këtu përfundon e gjitha në kuptimin e legjitimitetit të këtij procesi”, ka thënë Kryeziu.

Lidhur me projekt-rezolutën e miratuar të shtunën në kuvend për bisedimet me Serbinë, Kryeziu tha se kjo rezolutë në asnjë mënyrë nuk e ndalon negocimin e çështjeve që kanë për objekt diskutimi territorin e Republikës së Kosovës.

“Kemi një rezolutë që juridikisht nuk ka fuqi juridike dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë. Ajo që është shumë me rëndësi duhet gjithmonë të respektohet ajo që e kemi thënë disa herë shumica e kualifikuar në të gjitha fazat sa i përket këtij procesi dhe rezolutën të cilën e ka propozu PSD-ja në korrik e ka pas atë kërkesë, nuk e di pse kanë lëvizë nga ajo kërkesë”, ka thënë Kryeziu.

“Kushtetuta jonë nuk jep bazë ligjore për të bërë referendum për çështje në kuadër të asaj që kemi thënë disa herë neni 18.1”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se kushtetuta jonë duhet të ndryshohet për ta mundësuar një referendum.

Kuvendi i Kosovës të shtunën në seancën e jashtëzakonshme ka miratuar projekt-rezolutën për bisedimet me Serbinë. Projekt-rezoluta e hartuar nga Partia Sociale-Demokratike dhe NISMA Socialdemokrate ka marr votat e 59 deputetëve të Kuvendit të Kosovës asnjë kundër dhe dy abstenime. Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO./21Media

 

Back to top button