Rregullorja e re e Kuvendit pritet të miratohet në seancën e radhës

Pritjes maratonike për një rregullore të re të Kuvendit të Kosovës po i vjen fundi. Pas 12 vjetësh, deputetët e legjislativit do të kenë rregullore të re të punës. Të martën e javës së ardhshme, në seancën e radhës plenare do të shqyrtohet në parim rregullorja e re e Kuvendit. Përmes të njëjtës pritet të ketë edhe norma sanksionuese për të zgjedhurit e popullit që mungojnë pa arsye në seanca dhe komisione.
Kryetari i komisionit për legjislacion, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se përmes rregullores së re të Kuvendit, do të krijohet një mekanizëm i ri, ‘konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare’, i cili bashkë me kryetarin e Kuvendit do të përcaktojnë agjendën e legjislativit.
Kësisoj, sipas tij, do të zbehet edhe roli i kryesisë së Kuvendit.
Ai shton se deputetët që nuk marrin pjesë në seanca do të gjobiten financiarisht duke u larguar meditjet nga paga bazë.
”Krijimi i një mekanizmi të ri të një trupe të re siç është konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare të cilët bashkë me kryetarin e Kuvendit do të kenë rolin kryesor në funksionimin e brendshëm të Kuvendit, përcaktimin e agjendës, përcaktimin e organizmit të trupave të kuvendit dhe kështu me radhë. Në këtë kuptim bie pak rëndësia e Kryesisë së Kuvendit, ndërkohë fuqizohen grupet parlamentare. Por gjithmonë duke u kujdesur që mos të ketë bllokim të punës së Kuvendit. Janë përcaktuar edhe përgjegjësitë e deputetit për të marrë pjesë në seanca dhe komisione. Në rast se nuk marrin pjesë pa njoftuar paraprakisht ata do të ndëshkohen financiarisht duke u zbritur mëditja nga paga bazë e tyre. Kjo bëhet jo për t’i ndëshkuar deputetët, por për të garantuar se edhe Kuvendi, seanca dhe mbledhjet e komisioneve nuk do të dështojnë për shkak të mungesës së deputetëve në kuptimin e kuorumit”, ka thënë ai.
Deputeti i mazhoracës tha se rregullorja e re e Kuvendit ka gjetur pajtueshmëri në gjitha grupet parlamentare në Kuvend.
Sipas tij, rregullorja e re e Kuvendit fuqizon më shumë rolin e opozitës.
Përkrahje miratimit të rregullores së re të Kuvendit i kanë dhënë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti Hajdar Beqa ka bërë të ditur se mbështesin miratimin e rregullores së Kuvendit.
Nga ana tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit e mirëpresin miratimin e rregullores së legjislativit.
Yll Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, theksoi se krahas rregullimit të dinamikës së Kuvendit, rregullorja e re duhet të bartë edhe sanksione ndaj deputetëve të padisiplinuar.
”Domosdoshmëria për miratimin e një rregullore të re është e lartë. Është mirë qe kemi një konsensus të partive politike të cilën nuk e kemi pasur në shumë legjislatura. Kanë kaluar disa legjislatura dhe nuk kanë arritur të aprovojnë një rregullore të re që do të pasqyronte këtë jetë parlamentare që është duke zhvilluar…Jemi dëshmitar që shumë seanca nuk mbahen për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve dhe shumë ligje dhe iniciativa prolongohen me muaj të tërë për shkak të kuorumit që nuk arrihet, qoftë në seanca plenare, apo trupat punuese të Kuvendit. Besojmë se një sistem i disiplinimit të deputetëve duhet të përmbajë kjo rregullore të gjejë forma, qoftë përmes disiplinimit financiar apo forma të tjera të obligoj deputetëve t’i përmbahen ligjit, kushtetutës dhe besimit të qytetarëve për t’i kryer punët që janë zgjedhur në Kuvend”, tha Zeka.
Kuvendi i Kosovës aktualisht punon përmes rregullores së miratuar në vitin 2010. Ndryshimi i saj është tentuar edhe në legjislaturat e kaluara. Ndërkohë, Zyra për Medie e Kuvendit ka bërë të ditur se ndër pikat e rendit të ditës në seancën e javës së ardhshme është edhe shqyrtimi i rregullores së re të Kuvendit./kp

Back to top button