Si shkaktarët kryesor të aksidenteve në vend po konsiderohet të jetë tejkalimi i shpejtësisë, anashkalimi dhe përdorimi i telefonit

Si shkaktarët kryesor të aksidenteve në vend po konsiderohet të jetë tejkalimi i shpejtësisë, anashkalimi dhe përdorimi i telefonit

Në muajin korrik të këtij viti pesë anëtarë të familjes Sadikaj, nga Sopia e Suharekës, kanë humbur jetën në një aksident trafiku.

Po në këtë vit si pasojë e aksidentit humbën jetën edhe katër anëtarët e familjes Shala. Përveç këtyre dy rasteve të rënda, rrugët e Kosovës në vitin 2018, morën edhe jetën e më shumë se 85 persona tjerë.

Edhe pse krahasuar me vitin 2017 është vërejtur rënie e lehtë e aksidenteve, në bazë të statistikave të Policisë në territorin e Kosovës brenda kësaj periudhe të vitit kanë ndodhur gjithsej 14 mijë e 393 aksidente.

Shkaktarët kryesor të këtyre aksidenteve po del të jetë faktori njeri dhe mos përshtatja e shpejtësisë me rregullat e komunikacionit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani për kp, ka deklaruar se për 10.80 përqind ka një ulje të të gjitha kategorive të aksidenteve rrugore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Në bazë të shifrave që ne i posedojmë si Polici e Kosovës mund të themi se aksidentet me pasoja fatale nga janari deri në nëntor të këtij viti kanë shënuar ulje për 20.56 përqind, që do thotë nga 107 persona sa kanë humbur jetën periudhën e vitit të kaluar në këtë periudhë kohore janë 85 apo thënë 22 persona më pak që kanë humbur jetën…Sa i përket aksidenteve me lëndime kemi rënie për 1.96 për qind të atyre të dëmeve materiale për 15.73 për qind apo në total, thënë si aksidente të përgjithshme ka rënie diku për 10.80 për qind”, ka deklaruar Kelani.

Sipas Kelanit, në këtë ulje ka ndikuar edhe planet operative që Policia e Kosovës i ka hartuar dhe zbatuar gjatë këtij viti si shqiptim të gjobave për vozitësit më pak të përgjegjshëm, përdorimin e dronit, përdorimin e makinave civile, vendosje të patrullave policore në pikat më sensitive etj.

Si shkaktarët kryesor të aksidenteve në vend po konsiderohet të jetë tejkalimi i shpejtësisë, anashkalimi dhe përdorimi i telefonit.

E komuna e Prishtinë kryeson për numrin më të madh të aksidenteve në vend, por në zonat jashtë urbane është shënuar numri më i madh me fatalitet.

“Faktorët kontribues që ndikojnë në shtimin e aksidenteve mund të them se janë kryesisht mos përshtatja e shpejtësisë sipas shenjave që parashihen me ligjin për komunikacionin rrugor, që kryesisht tejkalimi i shpejtësisë po ndikon në aksidentet me pasoja fatale, mos mbajtja e distancës dhe mos përshtatja e ngasjes së automjeteve me kushtet e rrugës, apo kushtet klimatike… 12;16 Në bazë të të gjeturave që kanë dal apo kanë rezultuar nga këto analiza del që kryesisht aksidentet ndodhin më shumë në fillim të javës, pra ditën e hënë dhe në përfundim të javës, ku njerëzit kryesisht përgatiten për fundjavën…Sa i përket orës numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur nga ora 14:00 deri në ora 18:00, kryesisht kur është më shumë i frekuentuar qarkullimi me automjete”, ka shtuar zëdhënësi i Policisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka deklaruar se nga janari deri në nëntor për shkelësit e rregullave të komunikacionit janë shqiptuar rreth 372 mijë e 333 gjoba ose thënë në përqindje 0.10 për qind më e lartë se vitin e kaluar.

E në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se me qëllim që ofrimit të sigurisë më të madhe në trafik kanë punuar maksimalisht në infrastrukturën rrugore.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një intervistë për kp ka deklaruar se në vitin 2018 kanë formuar task-forcën, si dhe komisionin ndërministror me qëllim që të dalin me rekomandime që do kenë impakt pozitiv në sigurinë rrugore.

Lekaj u shpreh se me qëllim të menaxhimit më të mirë të rrugëve kanë nënshkruar marrëveshje me hungarezët.

“Sapo kam nënshkruar një marrëveshje me hungarezët për sistemin inteligjent të transportit (IDS), dhe mendoj që kjo do të ndikoj në menaxhimin më të mirë të të gjitha rrugëve në Kosovë dhe do ndikoj dukshëm pozitivisht në sigurinë e qytetarëve në trafik dhe ajo që ne kemi pasur edhe programe televizive që ne të ndikojmë sado pak që vozitësit tanë të respektojmë shenjat dhe ajo që mund të them jemi mundur që të kemi një sinjalistik më të mirë një ndriçim të rrugëve më të mirë“, ka shtuar ai.

Por sipas ekspertëve edhe faktori njeri po del të jetë ndër shkaktarët kryesor të aksidenteve në vendin tonë.

Visar Baxhaku, inxhinier i komunikacionit rrugor, thotë se me qëllim të uljes së aksidenteve në vend, institucionet përgjegjëse duhet të merren seriozisht me gjendjen e veprimeve dhe mosveprimeve që po dërgojnë deri tek aksidentet.

Sipas tij, ka mangësi në vendosjen e shenjave sinjalizuese, por ka edhe mungesa të tyre për shkak të vjedhjeve që u bëhen sinjalizuesve.

Praktikë të gabuar e ka konsideruar imitimin e metodave për parandalim të aksidenteve nga vendet tjera, pasi që ato ndryshojnë varësisht nga drejtuesit.

“Fillimisht duhet të bëhet harta e aksidenteve në nivel të Kosovës, të gjenden vendet ku janë më të rrezikuara, të gjendet shkalla e ekspozimit ndaj rrezikut të shkaktimit të aksidenteve, pastaj të fillojnë të analizohen ato vende që po karakterizohen me numër të madh të aksidenteve cilat janë shkaqet, a është problemi i rrugës, a është problemi i drejtuesve deri edhe tek mosha e drejtuesve që po shkaktojnë këto aksidente. Masat pastaj duhet të jenë në raport me gjetjet, jo të merren masa pa një analizë konkrete…05’41 Gabimi më i madh është që kopjohen modele prej vendeve tjera dhe ato vendet tjera kanë karakteristika tjera si në aspektin e popullatës ashtu edhe drejtuesve”, ka shtuar Baxhuku.

Ndryshe, në vitin 2017 në rrugët e Kosovës kanë ndodhur gjithsej 16 mijë e 122 aksidente, prej tyre 119 persona humbën jetën, derisa u shqiptuan më pak gjoba se sa në vitin 2018.