Rusia fajëson sabotatorët për shpërthimet në Krime

2 min read

Moska fajësoi sabotatorët për një sërë shpërthimesh në një depo municionesh në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, duke pranuar se ekzistojnë grupe të armatosura besnike ndaj Ukrainës, që po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret që ajo kontrollon.

Incidenti i sotëm pason një sërë shpërthimesh javën e kaluar në bazën ajrore të Rusisë në Krime, për të cilat Kievi tha se ishin kryer nga forca speciale ukrainase, por që Moska në atë kohë i quajti rezultat i një zjarri aksidental. Nga këto shpërthime u shkatërruan avionë luftarakë rusë, përcjell rtv21.tv

Ukraina kurrë nuk e ka pranuar publikisht atë sulm, por këshilltari i zyrës presidenciale Mykhailo Podolyak e përshkroi incidentin e fundit si “çmilitarizimi në veprim”, duke treguar se shpërthimet nuk ishin aksidentale, raporton BBC

Një zëdhënës i komandës së forcave ajrore ukrainase tha se baza u përdor nga disa prej helikopterëve ushtarakë të Rusisë, por fajësoi për shpërthimet Rusinë që nuk respektoi masat paraprake të zjarrit.

Rusia nuk dha asnjë indikacion për sabotatorët të përfshirë në sulmin e së martës, por shërbimi i sigurisë FSB tha se diversantët ukrainas kishin hedhur në erë gjashtë shtylla elektrike këtë muaj brenda vetë Rusisë.

Sulmet në zonën e Kurchatov, rreth 100 km nga kufiri verilindor i Ukrainës, kishin ndikuar në “procesin teknologjik të funksionimit” të uzinës bërthamore Kursk./21Media