Shërbyesit civil të komunës së Prishtinës në grevë

Ata kërkojnë që koeficienti të rritet për 40 përqind

Në shenjë pakënaqësie ndaj projektligjit për paga, shërbyesit civil të Komunës së Prishtinës sot do të hyjnë në grevë. Greva pritet të zgjasë deri në realizim të kërkesës së tyre që koeficienti të rritet për 40 përqind. Kurse, nga nesër të gjithë Shërbyesit civil në Kosovë do të hynjë në grevë me kërkesën për rritje të koeficientit.

Këtë e ka bërë të ditur Këshilli grevist i shërbyesve civil të Komunës së Prishtinës përmes një komunikate për media, në të cilën bëhet e ditur se ndjehen të diskriminuar në projektligjin për pagat.

“Shërbyesit civil të Komunës së Prishtinës, janë të pakënaqur me këtë projektligj dhe kanë formuar Këshillin grevist, duke shprehur pakënaqësitë për këtë projektligj, sepse ndjehen të diskriminuar. Këshilli grevist i themeluar nga shërbyesit civil, duke u bazuar në ligjin mbi kryeqytetin, vëllimin e punëve, ndërlikueshmërinë e punëve dhe rrezikshmërisë ka parashtruar kërkesën për ngritjen e koeficientit për 40 përqind më shumë, se siç është paraparë në projektligjin për paga në Republikën e Kosovës.”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Këtë kërkesë shërbyesit civil të Komunës së Prishtinës ia kanë adresuar kryetarit të kësaj komune Shpend Ahmetit, Ministrisë së Administratës Publike, SPAK-ut dhe Komisionit për hartimin e draftligjit. Për të njëjtën çështje sipas komunikatës këshilli grevist është takuar 5 herë me koordinatorin për reforma shtetërore, Besnik Tahiri.

Back to top button