Shkarkohen gjashtë policë nga puna

Dyshohen se kanë lejuar kultivimin e lëndëve narkotike

Policia e Shtetit shqiptar ka shkarkuar nga radhët e saj disa punonjës policie, pasi dyshohet se kanë lejuar kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Lezhës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka bërë publike edhe emrat e punonjësve të shkarkuar nga detyra. Ai tha se u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrative dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Kurbin dhe drejtorinë Lezhë dhe u morën masat duke përjashtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit 6 punonjës.

“Të shkarkuarit janë, inspektor Gj.D, me detyrë ndihmës specialist në Njësinë Administrative Fushë Kuqe për shkelje të rënda; Nënkomisar E.T me detyrë specialist në seksionin e hetimit për krimet, Krubin; Komisar L.P, me detyrë shefi i seksionit për krimet Kurbin; Komisar Xh.K shefi i seksionit të policimit në komunitet, komisariati Kurbin; Komisar F.H me detyrë shefi i komisaritatit Kurbin si dhe Kryekomisar M.B me detyrë shefi i sektorit për krimet në Komisariatin Lezhë”, ka thënë ai.

Çako ka theksuar se Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar me detyrimet nga Strategjia Kombëtare për luftën kundër kanabisit.

Back to top button