S’ka vota për rezolutën për liberalizimin e vizave

Rezoluta për liberalizimin e vizave nuk ka marrë votat e kërkuara

Propozim rezoluta që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje edhe sot nuk ka marrë votat e kërkuara.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti para votimit tha se dje janë ftuar në takim kryetarët e grupeve parlamentare por nuk janë harmonizuar për rezolutën. Megjithatë, ai kërkoi që kjo rezolutë të hedhet në votim.

Ishin 40 deputetë që votuan për, një kundër dhe një abstenim.

Kuvendi i Kosovës po mban seancën, në të cilën përveç shqyrtimit për herë të parë të projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të shqyrtohet edhe raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017. Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Familjen i Kosovës.

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn para pak ditësh ka qëndruar në Kosovë për vizitë zyrtare. Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Hahn ka thënë që merr kohë që të miratohen të gjitha dispozitat ligjore. Sipas tij, data më reale për liberalizim është viti 2020.

Back to top button