Temperaturat e larta, shpërthejnë zjarre në Shqipëri

U dogjën rreth 2 hektar me shkurre dhe disa pisha

Drejtoria e Emergjencave Civile në Shqipëri ka bërë të ditur se për shkak të temperaturave të larta gjatë 24 orëve të fundit ka pasur dy vatra zjarri në Dibër dhe Laç.

Në ora 10:00, në fshatin Gurë Lurë, Njësia Administrative Lurë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Dibër, ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor.

Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar.

Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe disa pisha.

Mbrëmë në qytetin Laç ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Laç ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor.

60 forca ushtarake kanë shkuar për ndihmë në vatrat e flakëve dhe pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile u kërkon të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.

Back to top button