Thaçi: Lufta e UÇK-së, bazament i Ushtrisë së Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet forcë multietnike që do ta mbrojë çdo qytetar të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim  Thaçi, mbajti një fjalim me rastin e Ceremonisë Shtetërore për transformimin e FSK-së në Ushtri. Ai filloi fjalimin e tij duke falënderuar të gjithë të pranishmit, e duke uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për Ushtrinë e Kosovës.

Nderimet e tij më të thella shkuan për secilin dëshmor që ka dhënë jetën për liri.

“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh, rreth 3 dekada. Ky është një hap i  rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë, pasi ushtria është shtyllë e shtetit”, deklaroi Thaçi.

Falënderim i veçantë nga presidenti shkoi për të gjithë deputetët që votuan unanimisht projektligjin që hapi rrugë transformimit të ushtrisë, duke dëshmuar se kur janë në pyetje interesat kombëtare, tejkalohen interesat partiake.

Sipas Thaçit, FSK sot nuk është vetëm ushtri, por një institucion më i besueshmi dhe më i respektuari nga qytetarët në Republikën e Kosovës, shkruan rtv21.tv.

Falënderim të veçantë nga presidenti kishte edhe për Qeverinë e Kosovës për punën që ka bërë.

Falënderimet e tij vazhduan edhe për partnerët ndërkombëtarë si SHBA e të gjitha vendet anëtare të NATO-s, duke i siguruar ata se Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet forcë multietnike që do ta mbrojë çdo qytetar të Kosovës.

Për fund Presidenti shtoi se bazamenti i Ushtrisë së Kosovës, ka qenë, është dhe do të jetë i shenjtë, e ai është lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

“Me këtë luftë fituam lirinë, fituam pavarësinë, ndërtuam shtetin, dhe sot po e gëzojmë ushtrinë“, deklaroi presidenti Thaçi.

“Urime ushtarë detyrat e reja, gëzuar Kosovë ushtria”, përfundoi presidenti.

seancën e sotme të Kuvendit në sallë ishin 107 deputetë dhe të gjithë votuan për dhënien e mandatit ushtarak për FSK-në. /21Media

Back to top button