Thaçi: Për zgjedhjet e parakohshme vendosin partitë

“Jo vetëm që është e nevojshme, por ajo tregon që BE është e përkushtuar që në Kosovë të ketë zgjedhje të organizuara sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo edhe neve si KQZ na jep atë mundësi që të tregojmë se i organizojmë me standarde ndërkombëtare”

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili i ka dërguar letër BE-së, ku ka kërkuar monitorimin e zgjedhjeve komunale shprehet se e ndjen obligim kushtetues, ligjor dhe politik që t’i ftojë vëzhguesit evropianë për zgjedhjet lokale.

Ai thotë se kjo është ftesë në kohën e duhur, ndërsa sa i përket mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, presidenti Thaçi thotë se kjo mbetet në vullnetin e partive politike dhe se ai do të respektojë marrëveshjet politike dhe do të jetë në krye të obligimeve të tij si president i vendit.

“Unë si president i vendit  punoj sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas opinioneve ditore apo politikave të partive politike,  e çfarëdo partie politike qoftë. Prandaj, e ndjej obligim kushtetues, ligjor dhe politik, që të ftoj vëzhguesit evropianë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Është një ftesë në kohë të duhur që dhe autoritetet e BE-së dhe gjithë mekanizimi tjetër mbështetës, të përgatitet për këtë proces të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera, mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, unë respektoj Kushtetutën e vendit, mandatin e plotë të kushtetuesve ligjor. Është në vullnetin e partive politike, nëse duan zgjedhje të parakohshme, unë do të respektoj marrëveshjen e partive politike dhe natyrisht se do të jem në krye të obligimeve të mia kushtetuese”, tha ai.

Presidenti i Kosovës tha se Kosova duhet të lëvizë përpara më shpejt dhe më mirë, drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë dhe perspektivës euroatlantike.

“E potencova sa i përket qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit janë partitë politike që përbëjnë koalicionin. Ato që marrin qëndrime dhe zotime, por dhe përgjegjësi dhe që e bëjnë vlerësimin e punës dhe jo unë si president i vendit. Unë si president i vendit theksoj se Kosova duhet të lëvizë më shpejt, më mirë dhe në mënyrë efikase drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë  dhe perspektivës euroatlantike”, tha ai.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka tha se KQZ e përkrahë letrën që presidenti i ka dërguar BE-së për monitorimin e zgjedhjeve, sepse kjo  i jep mundësi KQZ-së që të tregojë se organizon zgjedhje sipas standardeve evropiane.

“Jo vetëm që është e nevojshme, por ajo tregon që BE është e përkushtuar që në Kosovë të ketë zgjedhje të organizuara sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo edhe neve si KQZ na jep atë mundësi që të tregojmë se i organizojmë me standarde ndërkombëtare . Natyrisht që është shumë për ta përkrahë këtë letër, të cilën e ka dërguar presidenti.  Ne si KQZ  do të kemi takim me misionin vëzhgues, i cili do të jetë në Kosovë. Më datën 2 maj ne presim që të takohemi me krerët e këtij misioni dhe aty do të diskutojmë për modalitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale”, tha Daka.

Daka thotë se KQZ do të organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme,  në momentin kur ato shpallen nga presidenti i vendit, përkundër sfidave në të cilat ata hasin gjithmonë, kur bëhen organizime të zgjedhjeve për afate të shkurtra.

“KQZ nuk e ka në diskutim që të vendosë, a do t’i organizojë apo jo. KQZ e ka obligim kushtetues. Dhe me siguri që do t’i organizojë zgjedhjet,  atëherë kur ato shpallen nga presidenti i Republikës. Nuk na mbetet me zgjedh, a duam apo jo. Ne do t’i organizojmë, natyrisht se do të ketë sfida, sepse gjithmonë organizimi në afate të shkurta i sjell me vete dhe mundësi të gabimeve. Por ne e kemi obligim kushtetues”, tha ajo.

Back to top button