Thaçi përkujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën

Vrasjen e tyre e cilëson si goditjen më të rëndë të lëvizjes çlirimtare

Sot u shënua 37-vjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, në një atentat në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi ka përkujtuar tre veprimtarët e shquar të lëvizjes kombëtare, duke e cilësuar vrasjen e tyre si një prej goditjeve më të rënda të lëvizjes sonë çlirimtare.

“Nga dora e shërbimeve sekrete serbe, para 37 vjetësh në Gjermani u vranë tre veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Vrasja e tyre ishte një prej goditjeve më të rënda të lëvizjes sonë çlirimtare, e cila po i bashkërendonte veprimet brenda dhe jashtë Kosovës. Si veprimtarë të një ideali dhe përpjekjeve të pareshtura për liri, ata dhanë kontribut të shquar në rritjen e ndërgjegjes kombëtare, në organizimin politik dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në botën perëndimore.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në 37-vjetorin e vrasjes, edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka përkujtuar veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova./21Media

Back to top button