Trump uroi Thaçin për përvjetorin e 12-të të pavarësisë

Sipas Trumpit, e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme

Presidenti Hashim Thaçi ka pranuar sot një telegram urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë telegram bëhet e ditur se populli amerikan i bashkohet urimeve të Presidentit Trump për popullin e Kosovës në përvjetorin e 12 të pavarësisë.

“Populli i Amerikës së bashku me mua i urojnë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Lidhjet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës shtet sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik”, thuhet në telegramin e presidentit Trump.

Ai ka përgëzuar Kosovën për zgjedhjet demokratike në muajin tetor, duke mirëpritur angazhimin e vazhdueshëm për të quar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ju dëshirojmë sukses në vitet e ardhshme, në fokusimin tuaj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim sa më vibrant të sektorit privat”, theksohet më tej në këtë telegram urimi.

Presidenti Trump në fund ka shkruar se e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta”, ka shkruar më tutje Trump.

Back to top button