Vazhdon gjykimi për aksidentin e autobusit afër Llaskarcës

Rasti ndodhet në procedurë të prezantimit të dëshmive

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot është caktuar seancë e re për gjykimin për aksidentin e autobusit që ndodhi më 13 shkurt të vitit të kaluar afër fshatit Llaskarcë, në të cilin humbën jetën 16 persona, ndërsa 37 morën lëndime më të rënda, raporton TV21.

Rasti ndodhet në procedurë të prezantimit të dëshmive dhe po merren në pyetje dëshmitarët.

Procesin e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski.

Për aksidentin e autobusit janë të akuzuar gjashtë persona. Pronari i “Durmo turs”-it Durmish Beluli, përgjegjësi për transport në firmë Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoell Trifunovski ngarkohen për vepra të kryera të rënda kundër sigurisë ndaj njerëzve dhe pronës në komunikacion, ndërsa tre të punësuarit në stacionin për kontroll teknik Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski për bashkëpjesëmarrje në të njëjtën vepër./21Media

Back to top button