Veseli premton ndryshimin e Ligjit për veteranët e UÇK-së

Kryetari i Kuvendit tha se është kundër çdo lloj abuzimi me skemat sociale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për nevojat dhe kërkesat e këtyre kategorive, bën të ditur zyra për informim e Kuvendit.

Përfaqësuesit e shoqatës së familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës kanë kërkuar mbështetjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit që ua pamundëson familjeve të dëshmorëve, invalidëve, viktimave civile dhe familjeve të të zhdukurve të realizojnë të drejtat e tyre për pensionet kontributdhënëse.

“Kryeparlamentari Kadri Veseli shprehu mbështetjen e plotë për kërkesat e shoqatave të dala nga lufta, duke i siguruar se shumë shpejt institucionet përgjegjëse do të iniciojnë ndryshimin e ligjit përkatës për tua lejuar realizimin e të drejtave këtyre kategorive”, thuhet në komunikatë.

Veseli tha me këtë rast se është kundër çdo lloj abuzimi me skemat sociale, mirëpo theksoi se këto kategori kanë të drejtë të plotë në realizimin e kërkesave të tyre, për kontributin dhe sakrificën e dhënë./21Media

Back to top button