U mashtruan rreth 500 kosovarë

U mashtruan rreth 500 kosovarë

Me 10 vjet e gjysmë burgim ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për mashtrim të rreth 500 Kosovareve për viza pune në Gjermani.

Flamur Hoxha është dënuar me 6 vjet burgim dhe 21 mijë euro, ndërsa Besim Rexhaj me 4 vjet burgim dhe 12 mijë euro.

Ata akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për mashtrim, shpëlarje të parave, dhe falsifikim të dokumenteve. I akuzuari i tretë Veprim Rexhepi është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht për falsifikim të dokumenteve.

Sipas Prokurorisë Speciale, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj kanë mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës se kinse do t’i punësojnë në Gjermani.

Lidhur me mundësimin e kontratave të punës në Gjermani ata akuzohen se kishin marrë prej 489 personave shumën prej 2,500 – 3,000 euro, dhe nuk i kishin punësuar fare në Gjermani. Paratë e përfituara nga kjo skemë prokuroria pretendon se i kanë fshehur duke i transferuar ato tek persona të tjerë, pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme – vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme shtëpi dhe banesa. Ky proces gjyqësor është njëri prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave./kallxo.com