VV: Vendimi për rastin “Pronto”, skandaloz!

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin lirues për rastin “Pronto”

Vetëvendosja me një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, e kanë cilësuar këtë vendim si flagrant e të mediatizuar kriminal e korruptiv në Kosovën e pasluftës.

Sipas VV, ky rast përfshinte elementë të rëndësishëm të partive në pushtet, si dhe zyrtarë me pozita të larta në ekzekutiv, ndërmarrje publike, e prokurori.

“Vendimi i sotëm është skandaloz. Dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian.”, thuhet në reagimin e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje shton se vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme.

“Për më keq dhe si për ironi arsyetimi i Gjykatës ishte se nuk kishte prova të mjaftueshme çka çoi në lirimin e protagonistëve të “Aferës Pronto”, mirëpo vetëm bisedat telefonike të publikuara, emrat e atyre që flasin, dhe temat e bisedave, janë dëshmi të pakontestueshme e prova të qarta se krimi e klientela po qeveris, dhe janë aty përbrenda institucioneve të drejtësisë.“, thuhet tutje në reagim.

“Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pashqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmja.”, deklaron VV.

Fituesit e zgjedhjeve deklarojnë se këto raste gjykime skandaloze e bëjnë edhe më të ngutshme konstituimin e qeverisë në mënyrë që shteti i së drejtës të fillojë së funksionuari dhe gjyqësori të çkapet, e jo të mbetët vetëm legjitimues i kriminelëve të cilët po vazhdon t’i certifikojë me vulën e pafajësisë si njerëzit më të ndershëm./21Media

Back to top button