Zaevi “kërcënoi” me anulim të zgjedhjeve? VMRO-DPMNE-ja: Zaevi është në panikë

Zaevi këshilloi që ky paralajmërim të mos kuptohet si kërcënim

Numri i madh i propozim- ligjeve të cilat presin miratim në seanca plenare të Kuvendit në Maqedoni, ka futur në lojë mundësinë e anulimit të zgjedhje parlamentare të 12 prillit. Sipas asaj që e tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zgjedhjet mund të anulohen në rast se në Kuvend nuk arrihen të miratohen ligjet të cilat bllokojnë rritjen e pensioneve dhe të pagave, të cilat duhet të hynë në fuqi në janar të vitit 2020. Ai këshilloi që ky paralajmërim të mos kuptohet si kërcënim, raporton TV21.

“Ligjet bazike, nëse nxisin bllokadë të pensioneve dhe të transfereve sociale, në rritjen e pagave, në tërë atë që do të thotë jetë për qytetarët, atëherë zgjedhjet mund të anulohen. Këtë sot nuk po e dërgoj si kërcënim, sepse përgjegjësia e secilit deputet, a është nga pushteti apo opozita, gjithashtu është përgjegjësi edhe e Qeverisë, i vetëqeverisjes lokale dhe të gjithëve, sepse paga marrim nga qytetarët”, deklaroi kryeministri i vendit Zoran Zaev.

E për opozitaren VMRO-DPMNE kjo deklaratë e Zaevit vlerësohet si përpjekje për të anuluar zgjedhjet, sepse e ka kapur paniku se do të largohet na pozita e kryeministrit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të partisë, Igor Janushev zgjedhje do të ketë dhe nuk ka ikje nga to.

“Sot jemi 24 dhjetor, më pak se dhjetë ditë nga ikja e Zaevit nga pozita e kryeministrit. Me shumë gjasë, njeriun e ka kapur paniku dhe duke mos pasur mënyra tjera, po përpiqet në çdo mënyrë të provojë t’i anulojë zgjedhjet. Zgjedhje do të ketë, ato janë marrëveshje me të gjitha partitë politike në takimin e liderëve të Pendarovski dhe nga ajo nuk ka ikje”, theksoi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.

Anulimi i zgjedhjeve të 12 prillit të 2020-s u aktualizua edhe kohë më parë, kur u pa se Spanja nuk do të ketë mundësi ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Zaevi kur kuptoi se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka caktuar 11 shkurtin si datë kur do të shpërndahet Kuvendi, tha se “nuk duhet të rrezikojmë që zgjedhjet ta anulojnë ratifikimin e protokollit për NATO”. Por mundësia e anulimit të zgjedhjeve për Protokollin u hodh poshtë, sepse pushteti ka marrë premtim se Spanja në janar do ta ratifikojë Protokollin. Pasi Kuvendi i Spanjës ta mbarojë procedurën, radhën e ka Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, në takimin e liderëve te presidenti Stevo Pendarovski, u arrit marrëveshje që më 12 prill të shkohet në zgjedhje parlamentare. Në takim, për zgjedhje janë përfolur edhe data të këtij viti, por siç deklaruan të gjithë liderët pas takimit, 12 prilli u caktua që të ketë kohë për ratifikimin e Protokollit të NATO-s./21Media

Back to top button