Zgjidhja e Krasniqit se si të shpëtohet Kosova nga kolapsi

Sipas Krasniqit, ka zgjidhje nëse qeveria e dëshiron zgjidhjen e problemeve

Profesori universitar, Milazim Krasniqi është shprehur se grevat dhe protestat në rritje të shumë sektorëve, mund ta dërgojnë shtetin drejt kolapsit.

Për ta shmangur kolapsin, sipas Krasniqit ka një zgjidhje praktike: “të tërhiqet nga procedura ligji për pagat për një periudhë gjashtëmujore. Pastaj të hapet debat publik me të gjithë sektorët dhe me sindikatat e të arrihet një zgjidhje sa më e drejtë”.

Ndërsa, sa i përket paralajmërimit të universiteteve publike për greva e protesta, të cilat kanë ardhur pas tërheqjes së akreditimit të 40 programeve të nivelit të lartë publik në Kosovë, Krasniqi ka dhënë një zgjidhje.

Sipas tij, zgjidhja e duhur është shkarkimi i agjencisë së akreditimit, ndoshta, sipas tij, edhe i minsitrit të arsimit.

“Pra, nëse qeveria e dëshiron zgjidhjen e problemeve, zgjidhje ka. Nëse don me e ba llugë më shumë se sa që është, mund ta bëjë, por do t’i thyhej për kokë në fund”, ka shkruar profesori në facebook.

Kujtojmë që nga 14 janari të gjitha nivelet arsimore në vend kanë hyrë në grevë. Në grevë po ashtu janë edhe kirurgët, ndërsa nesër në grevë kanë paralajmëruar që do të hyjnë edhe të gjithë shërbyesit civil në Kosovë, si dhe Sindikata e Pavarur e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë se Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë së Kosovës (SPPBIDMGJK)./21Media

Back to top button