Zyrtarizohet emërimi i Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FSK-së

U zyrtarizua emërimi i Rrustem Berishës dhe Rrahman Ramës

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar së është bërë zyrtarizimi i emërimit të Ministrit të Mbrojtejes, Rrustem Berisha si dhe Komandatit të FSK-së, Rrahman Rama.

“Pas votimit të tri projektligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nënshkrimit nga Presidenti Hashim Thaçi, si dhe pas publikimit në Gazetën Zyrtare, dje më 21 janar 2019, solemnisht u bë zyrtarizmi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe procesi i tranzicionit të FSK-së në ushtri të Kosovës, si dhe emërimi i Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FSK-së.”, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë.

Vendimi për zyrtarizimin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FSK-së ka hyrë në fuqi më 20 janar.

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrahman Rama sot u betua para Presidentit të Republikës, Hashim Thaçi se do të vazhdojë t’i shërbejë atdheut dhe mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i FSK-së, tashmë Ministër i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama dje kanë bërë zbulimin e pllakës me mbishkrimin Ministri e Mbrojtjes.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018 ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministrinë e Mbrojtes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shndërrimin e FKS-së në Ushtri./21Media

Back to top button