Opozita e pakënaqur me menaxhimin e situatës në Deçan, kërkon llogaridhënie
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar të enjten lidhur me zhvillimet e fundit në Komunën e Deçanit, me ç’rast deputetë të opozitës kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe institucionet përkatëse për keqmenaxhim, papërgjegjësi dhe neglizhencë të situatës.
Por deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se Komuna e Deçanit do të duhej të lajmëronte Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (MEA), në momentin që është rritur numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe nuk ka pasur mundësi të përballoj situatën.
Ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili kanë thënë se Komuna e Deçanit është vonuar pak për të lajmëruar institucionet përkatëse lidhur me situatën e krijuar.
Duke dashur të mbrojë kryeministrin nga kritikat e deputetëve të opozitës për qëndrimin në Greqi në kohën kur Deçani po përballet me gjendje emergjente, Dugolli kanë thënë se ‘niveli qendror nuk është ‘Zot’ për të ditur se ç’po ndodh në Deçan pa pasur një raport zyrtar nga komuna në fjalë.
“Unë po them që Komuna e Deçanit në aspektin profesional ka menduar se e përballon vet, u vonua pak për me t’i lajmëruar hallkat tjera. Nuk mundet niveli qendror, sepse nuk është Zot me e ditë derisa nuk ka një raport zyrtar dhe kërkesa zyrtare ‘nuk po mundem me përballu këtë situatë’. Aktivizohet mekanizmi adekuat AME. A e din kryetar që AME-në fare nuk e kanë lajmëru, unë kam informacion zyrtar se nuk kanë pasur kërkesë zyrtare që nuk kanë pasur kërkesë zyrtare prej kryetarit të komunës tek Agjencioni për Menaxhimin e Krizave në MPB”, ka thënë ai.
Por, ishte kryetari i komisionit, Bekë Berisha, i cili duke iu kundërpërgjigjur Dugollit ka thënë se veprimet e Qeverisë janë të vonuara, dhe se në raste të tilla nuk duhet të pritet për njoftime e shkresa zyrtare.
“Qeveria jote quhet ekzekutiv se merr veprime. Na po mendojmë që nuk mundet Komuna e Deçanit me e përballu këtë situatë, duhet të thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare që e kryeson kryeministri dhe krejt akterët e sigurisë me u aktivizu dhe me e mbyllë këtë temë. Askush s’po i thotë asgjë, Zoti ta ruajt kryeministrin. (Dugolli: Edhe do ta ruaj). Janë vonuar veprimet. Nuk ka nevojë askush me e thirr askënd. Kosova është një grusht vend, dihet krejt çka janë nevojat. Unë e kom ditë sa është numri i të helmuarve, nuk më ka thirr askush me më tregu. E po u dashka me ardh dikush me më thirre[…] Këtu janë çu me i ndihmu Peja, Prishtina, Dragashi, Klina dhe Prizreni me vitra e nuk po e din një institucion përkatës për emergjenca fare çka me bë”, ka thënë Berisha.
Deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi ka thënë se nuk janë aty për të thirrur Këshillin Kombëtar të Sigurisë, teksa ka kërkuar nga deputetët e opozitës që të lihet kryeministri t’i kryejë punët e tij.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se duhet të kërkohet llogari nga ata që kanë marrë besimin e qytetarëve e që u treguan neglizhentë karshi situatës së krijuar në Deçan.
Kritik ndaj nivelit qendror për menaxhimin e situatës në Deçan ishte edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili ka thënë se mungesa e një koordinimi të mirë institucional ka bërë që ende të mos dihet shkaktari i situatës atje.
Sipas tij, duhet një mobilizim i fuqishëm, pasi ngjarjet që po ndodhin në komunën e Deçanit edhe mund të përsëriten.