​A do të ketë tifozë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjet e Kosovës?

 
Masat e reja përkitazi me situatën e krijuar me pandeminë Covid-19 të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë prekur edhe ngjarjet sportive në vend.
Në bazë të këtyre masave, tani pjesëmarrja e tifozëve në palestra dhe stadiume do të lejohet vetëm 10 përqind e kapacitetit të tyre me tifozë.
Kombëtarja e Kosovës në futboll pas ndeshjes me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, atë ndaj Greqisë dhe Spanjës.
Kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët” Lul Berisha ka thënë se është e papranueshme që të lejohen vetëm 10 përqind e tifozëve brenda stadiumit për ndeshjet e kombëtares.
“Momentalisht është 10 përqind që është e papranueshme sepse është një kapacitet shumë i vogël i tifozëve kështu që nëse kalkulohet në 10 përqind i bie 200 tifozë t’i kemi të “Dardanët”. Me 200 tifozë nuk besoj që ia vlen të hyhet për të bërë diçka”, ka thënë Berisha.
Ai më tutje ka bërë të ditur se janë duke mbajtur takime të vazhdueshme me Ministrinë e Kulturës dhe po presin së shpejti një përgjigje prej tyre mbi atë nëse do të jetë e mundur që të lejohet një numër më i madh i tifozëve.
“Takimet janë të përditshme. Gjithmonë para ndeshjes i koordinojmë gjerat. Tani kemi pasur takim me Ministrinë e Kulturës, me Zëvendësministren, e kemi shtruar bashkarisht një kërkesë për të qenë më shumë diçka edhe po presim një përgjigje prej tyre”, ka theksuar Berisha.
Berisha ka deklaruar se ata janë duke kërkuar që të lejohet prania e tifozëve në kapacitetin prej 30 përqind të stadiumit.
“Sa ka qenë, 30 përqind. Edhe pse në të gjitha masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës ne jemi të gatshëm t’i zbatojmë. Asnjë njëri nuk do të hyjë pa test dhe pa vaksinë, ose testin ose vaksinën”, ka thënë në fund Berisha.
Nga ana tjetër, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport në një përgjigje me shkrim ka thënë se janë duke i shqyrtuar të gjitha format e mundshme për të lejuar praninë e tifozëve në kapacitetin prej 20 përqind në “Fadil Vokrri” dhe se një vendim mbi këtë çështje pritet në orët në vazhdim.
Ndeshjet ndaj Greqisë dhe Spanjës Kosova i zhvillon më 5 dhe 8 shtator në Prishtinë./KP

Back to top button