​Abdixhiku thotë se Kosova po udhëhiqet nga popullistë që s’zgjedhin mjete për pushtet

Lindja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte lindje e aspiratave të artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Ishte lindje e përpjekjes kolektive për jetë të lirë, të dinjitetshme, të pavarur, në shtetin e Republikës së Kosovës.
Kështu deklaroi kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, në shënimin e 32 vjetorit të LDK-së.
“Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës shënon, nderon dhe ndërton të katër dekadat e saja vepruese”, tha Abdixhiku.
Tutje, ai theksoi se ndjen përgjegjësi të madhe për rolin që LDK-ja duhet të ketë në skenën politike kosovare, jo për fatin e vet politik, por për fatin e të ardhmes së Kosovës.
“Dekada e katërt është dekadë e testit të Kosovës pro-perëndimores, është dekadë e anëtarësimit në NATO e rrugëtimit për në BE. Është dekadë e zhvillimit, modernizimit, është dekadë e progresives kundrejt popullizmit. Sot, në këtë përvjetor, më duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet Republika jonë. E udhëhequr nga popullsitë që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 32 vjet”, theksoi Abdixhiku.
“Prandaj prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike. Yjet politike, siç i dhanë LDK-së përgjegjësinë për organizmin për liri, për pavarësi, për demokraci e shtetndërtim, do t’i japin dhe përgjegjësinë për ankorimin e Kosovës në familjen Evropiane”, shtoi ai.
LDK, sipas tij, duhet t’i ruajë parimet themelore të partisë së djathtë, nacional-demokratike, me orientime të qarta euro-atlantike./21Media

Back to top button