​ASHAK: Kosova dështoi në menaxhimin e Covid-19, gjendja ka dalë jashtë kontrolli

 

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vlerëson se situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit, dhe se sistemi shëndetësor i Kosovës ka dështuar në të gjithë përbërësit e tij, duke filluar nga kuadri profesional i nënçmuar dhe i nënvlerësuar dhe deri te ndërhyrja e vazhdueshme politike në menaxhment dhe operativë mjekësore dhe shëndetësore.

ASHAK përmes një komunikate për media konsideron se në këtë rrethanë klasa politike e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi, duke i përqendruar të gjitha resurset politike dhe institucionale për menaxhimin e situatës së pandemisë.

“Është e qartë se sistemi shëndetësor i Kosovës ka dështuar në të gjithë përbërësit e tij, duke filluar nga kuadri profesional i nënçmuar dhe i nënvlerësuar dhe deri te ndërhyrja e vazhdueshme politike në menaxhment dhe operativë mjekësore dhe shëndetësore. E gjithë klasa politike, të gjitha qeveritë e pasluftës janë përgjegjëse për gjendjen e krijuar dhe nuk i amniston as koha e shkurtër apo e gjatë, as koha e largët ose e afër e qeverisjes. Duke e parë këtë gjendje, ASHAK konsideron se në këtë rrethanë klasa politike e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi, duke i përqendruar të gjitha resurset politike dhe institucionale për menaxhimin e situatës së pandemisë, se ata duhet t’i ulin tensionet dhe konfliktet e ndërvetshme, të gjejnë minimumin e konsensusit dhe të mos i përdorin konfliktet politike si mënyrë për të qëndruar në pushet. Situatën e emergjencës kombëtare duhet ta ndjejnë të gjithë, në rend të parë bartësit e institucioneve më të larta të vendit, sepse atyre iu bie përgjegjësia kryesore për gjendjen e krijuar”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Sipas ASHAK-ut, Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, sepse ai është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën.

“ASHAK gjithashtu konsideron se Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, sepse ai është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën. Kosova nuk e ka asnjë emergjencë të merret me dialogun në rrethana të këtilla dhe nuk ka asnjë arsye që ta bëjë dialogun çështje të preokupimit themelor të institucioneve shtetërore. Të gjitha kapacitetet shtetërore dhe politike duhet t’i përqendrojë në tejkalimin e situatës së pandemisë”, thuhet tutje në komunikatë.

ASHAK ka ftuar qytetarët të mos përfshihen nga mungesa elementare e vetëdijes dhe e vigjilencës, sepse sipas tyre shteti dhe institucionet e tij nuk do të jenë në gjendje t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që do të kenë nevojë për të./21Media

Back to top button