​AUV dhe Lufti Haziri përplasen për mbylljen e bizneseve në Gjilan

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës reagoi pas kritikave të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri për mbylljen e bizneseve nga inspeksioni sanitar në këtë komunë, duke thënë se çdo tentim për ta fajësuar Qeverinë nuk është asgjë përveçse përpjekje për të përfshirë nivelin qendror në fushatën e zgjedhjeve lokale.
Në reagimin e saj, AUV thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit të dënimeve ndaj personave konkretë, fizikë apo juridikë, nga inspektorët e AUV-it apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e masave antiCOVID.
“Në vend të kësaj, ekzistojnë procedura të qarta ligjore përmes të cilave secili person i tillë mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj dënimeve që pretendohet të jenë të kundërligjshme. Çdo tentim për ta fajësuar apo shantazhuar Qeverinë lidhur me këtë çështje s’është asgjë përveçse përpjekje për të përfshirë nivelin qendror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual e në shërbim të tij”, thuhet në reagim.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha sot se mbyllja e bizneseve paraqet ndërhyrje në kompetencat e Komunës, duke paralajmëruar shqyrtimin e rastit përmes zyrës ligjore.
Ai i bëri thirrje task-forcës së Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë pa koordinim me inspeksionin komunal, duke përkujtuar njëherësh se është e ndaluar me ligj ndërhyrja e policisë në lokale ku nuk ka inspektorë të shtetit, të cilët janë të thirrur t’i zbatojnë masat e IKSHPK-së.
“Kjo mbrëmë nuk ka ndodhur sepse është pjesë e një presioni ekonomisë dhe ndaj bizneseve të Gjilanit. Dënimet e padrejta ndaj bizneseve të vogla do t’i refundojmë, sikurse që edhe do t’i subvencionojmë sepse këto biznese rrezikojnë falimentimin. Përfundimisht duhet të ndalohet ndërhyrja e tillë Qeverisë në mesnatë, në jetën publike dhe në jetën private sepse kjo na dërgon drejt pa dëgjueshmërisë qytetare, e cila nuk i duhet askujt në këtë fazë. Ne jemi komunë shembull për zbatimin e masave antiCOVID-19, duke e ruajtur shëndetin publik dhe shëndetin e ekonomisë”, shkruan Haziri ndër tjera në Facebook.
Ai tutje shtoi se aktualisht, në spitalin e përgjithshëm të Gjilanit nuk ka asnjë pacient pozitiv me COVID, derisa në zonën urbane janë vetëm 4 raste aktive.

Back to top button