​Bajrami: Qeveria, MPB-ja, Policia dhe AKI-ja duhet të japin përgjegjësi për vrasjet në Gllogjan

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit.
Sipas saj, institucionet duhet të kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët.
“Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit. Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ndryshe, të dielën në Gllogjan iu dha lamtumira e fundit dy nxënësve që u vranë në sulmin që ndodhi në këtë fshat të premten. Po ashtu edhe shoferi i autobusit është varrosur dje në fshatin Skivjan të Gjakovës./21Media
Back to top button