FSShK kërkon takim urgjent me krerët institucionalë
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, po vazhdon të shprehë pakënaqësitë ndaj vendimeve të Qeverisë sa i përket trajtimit të punonjësve shëndetësorë.
Me këtë rast FSShK, thotë se ka kërkuar edhe njëherë takim urgjent me krerët e institucioneve shtetërore për t’i shpalosur qëndrimet e tyre karshi situatës së krijuar nga COVID-19.
FSShK thotë se ditëve në vazhdim do të mblidhen të gjitha shoqatat sindikale, odat e profesionistëve shëndetësorë, ku do të bashkërendojnë aktivitetet dhe veprimet sindikale të mëtutjeshme pas datës 13 shtator.
Federata Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka shprehur pakënaqësinë e saj karshi vendimit të Qeverisë në lidhje me shtesat në pagë për të punësuarit në sektorin publik. FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë kishte paralajmëruar padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë. FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të paguhen retroaktivisht nga muaji qershor e deri në fund të pandemisë.
Kjo federatë i ka dhënë kryeministrit Albin Kurti afat deri më 13 shtator që të përgjigjet. Sipas tyre, nëse kryeministri nuk përgjigjet, do të ftojnë të gjitha organizatat simotra që t’i bashkangjiten në reagim sindikal.
Në pikën e fundit, kjo federatë ka thënë se lut popullin që të vaksinohet e t’i mirëkuptojë “sepse edhe ne jemi njerëz e kemi familje”./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?