​Haxhiu: Ta kthejmë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe ta luftojmë të keqen

Çoçaj i uroi detyrën e re Ministres Haxhiu

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGjK), Skender Çoçaj, priti sot në një takim pune Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Çoçaj i uroi detyrën e re Ministres Haxhiu si dhe e njoftoi atë lidhur me aktivitetet e Këshillit, arritjet e deritashme, objektivat dhe sfidat me të cilat po përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë. “Ne jemi duke i ndërmarrë të gjitha hapat për arritjen e qëllimeve tona kryesore që garantojnë një sistem gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, rritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe imazhit të sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Çoçaj.

Haxhiu shprehu përkushtim për ofrimin e mbështetjes për realizimin e kërkesave buxhetore që i kanë institucionet e drejtësisë. Me këtë rast, Haxhiu theksoi se është e hapur dhe e gatshme në ofrimin e përkrahjes për institucionet e drejtësisë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve në drejtësi. “Jam e gatshme që bashkërisht me institucionet e drejtësisë t’i qëndroj besnike misionit tim si Ministre e Drejtësisë, pra ta kthejmë besimin e qytetarëve tanë në drejtësi dhe ta përmbushim misionin e përbashkët, luftimin e së keqes”, tha Haxhiu.

Të dy palët diskutuan rreth adresimit të çështjeve të ndryshme si: zgjidhja e lëndëve civile, parashkrimi i lëndëve, buxheti 2020 dhe aprovimi i tij, nevoja për staf në gjykata, ligji i konfiskimit të pasurisë, rritja e pagave për stafin administrativ në gjyqësor, pjesëmarrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në grupe punuese dhe trajnime, si dhe çështje të tjera të cilat cilësohen si sfida aktuale në sistemin e drejtësisë./21Media

Back to top button