​Konjufca homazhe në Abri: Liria kompletohet kur shkon bashkë me drejtësinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca bëri homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe.
Konjufca tha se masakra në Abri është njëra nga krimet më mizore dhe akt i qartë i gjenocidit të kryer nga Serbia me aparatin e saj policoro-ushtarak mbi shqiptarët e Kosovës.
“Nuk di ndonjë gjenocid në botë për të cilin të ketë pasur më pak drejtësi se sa në rastin e popullit tonë. Nëse kemi parasysh numrin prej 12 mijë qytetarësh tanë të vrarë nga shteti serb dhe në anën tjetër numrin e të dënuarve për të gjitha këto vrasje, është me të vërtetë pikëlluese. Kjo plagë po vazhdon ende, sepse përveç masakrave të kryera dhe mungesës së drejtësisë për 24 vite, mbi 1600 qytetarë të Kosovës ende nuk janë gjetur. Natyrisht dihet që Serbia si shtet gjenocidal i mban ata dhe nuk i kthen“, tha ai.
Kreu i Kuvendit tha se kjo është një betejë e papërfunduar dhe se liria kompletohet vetëm kur shkon bashkë me drejtësinë.
“Kjo na obligon edhe më shumë si institucione ta ngremë zërin dhe të bëjmë edhe më shumë nëpër forume e institucione të rëndësishme të botës për t’i bindur se kush është Serbia e vërtetë. Njëkohësisht institucionet tona duhet t’i ngrenë kapacitetet dhe t’i kryejnë vetë disa punë të shtëpisë, të cilat na takojnë e që nuk i kemi kryer kurrë, siç është hetimi dhe argumentimi i krimeve të luftës e i ndjekjes së kriminelëve, të cilët ende janë të lirë në Serbi dhe shpesh herë po marrin edhe poste të larta institucionale në këtë shtet“, tha Konjufca./21Media

Back to top button