​Kurti për dialogun: Pyetni ata që bënë koncesione deri më tani në emër të njohjes

 
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi sot qëndrimet sa i përket Liqenit të Ujmanit janë të njëjta, pavarësisht raportit të Departamentit Amerikan për Energji lidhur me menaxhimin e tij, ndërsa sa i përket njohjes nga Serbia ai ka thënë se për këtë duhet pyetur ata që kanë bërë koncesione në emër të kësaj.
Kurti pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se në marrëveshjen e Uashingtonit e vetmja pikë e vlefshme e saj është njohja nga Izraeli, derisa përsëriti qëndrimin kundër themelimit të asociacionit serb.
Në një konferencë për medie, Kurti ka thënë se nuk mund të flitet sikur nuk kanë ndodhur zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi në Kosovë ka ndodhur ndryshimi.
“Qëndrimet tona sa i përket Liqenit të Ujmanit janë të njëjta dhe natyrisht mund të bëhen analiza dhe studime, por detyra jonë thotë se duhet të konsiderojmë Liqenin e Ujmanit siç është. Liqe artificial i Kosovës nga Kosova. Kjo është kryer shumë dekada më parë dhe natyrisht se do të marrë të gjitha argumentet që do të jenë edhe shtesë për qëndrimin tonë të ri. Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit, ne qysh në fillim e kam thënë se pika e saj më e vlefshme dhe dobishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar. Pra, nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur 14 shkurti, 22 marsi edhe 4 prilli. Ka njerëz që jetojnë në të kaluarën, por besoj që ata i përkatësin të ardhmes. Në këtë kuptim, ndryshimi në Kosovë është gjigand, ne jemi përfaqësues të këtij ndryshimi”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se njohja reciproke me Serbinë nuk ka alternativë, por nuk duhet të jenë të varur nga njohja e saj dhe mos të ketë progres në zhvillim dhe punësim.
“Kur do të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellët, e që për bindjen time nuk ka alternativë nuk varet prej meje. Varet prej Serbisë, ndërkohë që ju po e vëreni edhe në konferenca dhe mbledhje që si prioritet i yni është punësimi dhe drejtësia, menaxhimi i pandemisë. Kur na pyetni për çështjen e dialogut edhe përgjigjemi, por qytetarët na kanë sjellë në këtë pozitë për të shërbyer dhe zhvilluar aspekte tejet jetike që nuk e ka jetë ne saj të varur nga njohja e Serbisë. Natyrisht është mirë ta njoh Serbia, por nuk e kemi shpallur pavarësinë që ta zëvendësojnë varësinë nga Serbia, në varësi nga njohja e saj”, ka thënë Kurti.
Krahas kësaj, kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin e tij të prerë kundër asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si një etnik, si zajednicë shkel edhe germën edhe frymën e kushtetuese. Nuk është i mundshëm”, tha Kurti.
Derisa ka thënë se pyetjet për asociacionit dhe siç tha koncesionet e së kaluarës duhet të pyetën paraardhësit e tij në pozitën e kryeministrit, pasi konsideron se ai nuk është i njëjtë sikur ata.
“Unë nuk e vazhdoj dot avazin e vjetër të paraardhësve të mi që na kanë pruar në këtë gjendje. Kur presidenti aktual i Serbisë deklaroi se nuk do ta njohë Kosovën, a nuk duhet të pyesni të gjithë ata që kanë bërë koncesione deri tash me idenë që do të na njohë Serbia? A nuk është kjo pyetja më e rëndësishme sot? 10 vjet koncesione në Bruksel se në fund vjen njohja e Serbisë dhe kreu i tyre tha se nuk do ta njohë kurrë. Çka të bëjmë me ato koncesione që janë bërë në emër të njohjes?”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, ka thënë se takimet me palën serbe janë për dialogun e ardhshëm, për të cilin theksoi se pala kosovare ka qëndrime parimore. Derisa theksoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura, me përjashtim të asociacionit ngec për shkak të Serbisë.
“Mos zbatimi i marrëveshjeve, me përjashtim të Asociacionit ngec për shkak të Serbisë. Për shkak të Serbisë e cila thotë se nuk do të njohë asnjëherë”, ka thënë ai.
Lidhur me mundësitë e vizitës së tij në veri, Kurti ka thënë se për gjithçka do të përgatiten.
“Për gjithçka ne po përgatitemi dhe nuk jemi në vitin e katërt të qeverisjes, por në ditën e 100-të. Besoj që Republika e Kosovës do të jetë e pranishme gjithandej”, ka thënë Kurti.

Back to top button