Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për projektet infrastrukturore nga fondet e BE-së

Komisioni për Planifikim Strategjikka diskutuar sot mbi përgatitjet për financim të projekteve infrastrukturore nga fondet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë zhvillimorë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se si kërkesë nga Procesi i Berlinit, Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore në Kosovë, e hartuar fillimisht në vitin 2015, është përditësuar në vitin 2017 për sektorin e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social.

Ai theksoi se Kosova nga Plani i Rritjes së BE-sëpritet të përfitojë rreth një miliard euro, kugjysma e kësaj shume do të ofrohet për investime infrastrukturore në sektorët e transportit, energjisë, sektorit digjital dhe kapitalit njerëzor.

“Projektet e kapitalit njerëzor do të jenë pjesë e listës prioritare të sektorit social. Sektori i mjedisit do të vazhdojë të jetë nga WBIF, por grantet e ofruara për mjedisin nuk burojnë nga pakoja financiare e Planit të Rritjes, por nga fondet IPA rajonale përmes WBIF dhe kriteret e aplikimit pritet të jenë të njëjta”, tha Kurti.

Ai edhe përmendi aplikimet e deritanishme të Kosovës të miratuara nga Bordi Operacional i WBIF, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerë totale prej 57.6 milionë eurosh.

“Javën e kaluar Këshilli Ministror për Integrim Evropiandiskutoi për Agjendën e Reformave, një dokument kryesor për detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Kryerja e reformave në të gjithë sektorët dhe fushat që matet me treguesit e Agjendës së Reformave ndërlidhet direkt me vëllimin e përfitimit të fondeve të Planit të Rritjes që realizohen përmes WBIF”, u shpreh Kurti.

Ministritë e linjës më takim prezantuan listat me prioritet në mjedis, transport dhe energji. ZëvendëskryeministriBesnik Bislimi theksoi se qëllimi i kësaj liste është prioritizimi i projekteve me të cilat do të aplikohet në instrumentet për financim të ofruara nga BE dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Përgjatë kësaj mbledhjeje u votuan dhe Grupet Punuese Sektoriale për përzgjedhjen e projekteve në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për sektorin social dhe infrastrukturën digjitale.

Ndryshe, Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF), në dhjetor 2022 ka miratuar tri aplikime për fonde të Kosovës, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerë 57.6 milionë euro. Këtu përfshihet granti për përgatitjen e projektit për banimin social në vlerë 2.08 milionë euro, që do të shfrytëzohet për përgatitjen e investimeve në vlerë totale 47.5 milionë euro. Gjithashtu, granti investues për parkun solar në KEK në vlerë 33.07 milionë euro, si pjesë e investimeve në vlerën totale 103.33 milionë euro. Granti i tretë investues është për ngrohjen qendrore në kryeqytet në vlerë 22.47 milionë euro, si pjesë e investimeve që në total kapin vlerën 76.368 milionë euro.

Back to top button