​Kurti: Rimëkëmbja e Telekomit duhet të jetë synim i përbashkët

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Telekomin, ku është takuar me ushtruesen e detyrës së kryeshefes ekzekutive, Burbuqe Hana, nga e cila është informuar në lidhje me gjendjen e tanishme në këtë ndërmarrje, planet e saj dhe parimet mbi të cilat do ta zhvillojë veprimtarinë e saj.

Kurti ka thënë se gjendja në Telekom ka qenë duke u përkeqësuar nga viti në vit për shkak të keq menaxhimit të deritanishëm.

Ai shtoi se duke qenë në krizë financiare, ndërmarrja është ballafaquar me probleme për të mbuluar pagat e punëtorëve, ndërsa investimet e vazhdueshme në teknologji, të cilat janë qenësore në performancën e Telekomit, kanë munguar gjatë.

Për këto arsye, dhe jo vetëm, Telekomi, sipas kryeministrit në detyrë, ka nevojë për masa të shpejta dhe të menjëhershme, të cilat do të përfshijnë riorganizimin strukturor, uljen e shpenzimeve, rishikimin e kontratave dhe investimet në teknologji.

Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të profesionistëve të dëshmuar të fushës në këtë ndërmarrje, si e vetmja mënyrë për të rimëkëmbur këtë ndërmarrje me rëndësi të veçantë strategjike për Qeverinë e Kosovës.

“Rëndom, ajo është keqpërdorur me qëllim falimentimin e saj dhe është keq menaxhuar me qëllim përfitimin personal prej saj. Qeveria e Kosovës, duke qenë aksionar i plotë i Telekomit, do t’i dalë partner asaj. Rimëkëmbja e Telekomit duhet të jetë synim i përbashkët i të gjithëve, sepse kush ia dëshiron të mirën Telekomit ia dëshiron të mirën Kosovës dhe anasjelltas”, ka thënë Kurti. 

Back to top button