​Largohen edhe 79 afganë nga Kosova, nisen drejt SHBA-së

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se sot nga Kosova janë larguar 79 afganë dhe do të nisen drejt SHBA-së.
Ministria përmes një postimi në ”Facebook”, ka bërë të ditur se janë duke punuar me ”USEmbPristina” që mysafirët të fillojë jetën e tyre të re sa më shpejt në Amerikë.
”Po punojmë me partnerin tonë @USEmbPristina, për t’u siguruar që mysafirët tanë në Camp Liya, të kalojnë sa më mirë derisa janë në vendin tonë dhe të jenë në gjendje të fillojnë jetën e tyre të re sa më shpejt të jetë e mundur në Amerikë. Mirupafshim dhe ju dëshirojmë gjithë të mirat duke shpresuar të dëgjojmë përsëri nga ju”, bëhet e ditur nga MPB-ja.
Gjithashtu edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka falenderuar MPB-në për mundësinë e këtij fluturimi dhe ndihmën që kjo e fundit ia ka ofruar.
”Faleminderit edhe një herë Kosovë! Dhe miqve dhe kolegëve tanë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që mundësuan këtë fluturim dhe na ndihmuan në çdo hap të rrugës, vlerësojmë punën dhe partneritetin tuaj të palodhshëm. Faleminderit nga zemra”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Kujtojmë se një javë më parë nga Kosova janë larguar edhe 265 afganë të cilët kanë shkuar në Kanada.
Rreth 60 mijë persona që kanë ikur nga Afganistani përmes fluturimeve ushtarake të organizuara nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera aleate, kanë përfunduar në vende të ndryshme të botës./21Media

Back to top button