​MASHT-i mbështet financiarisht 20 studentë të regjistruar në universitete të huaja

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot ka nënshkruar vendimin për mbështetje financiare për studentët që janë regjistruar nëpër universitete prestigjioze në botë.
“Kam kënaqësinë të ju njoftoj se kam nënshkruar sot vendimin për shpalljen e thirrjes publike për mbështetje financiare për studentët që janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në top universitetet më prestigjioze në botë. Për të dytin vit me radhë po mbështesim të rinjtë tanë që studijojnë në këto universitete dhe kjo është vetëm njëra nga mbështetjet financiare që jemi duke ofruar për të rinjtë”, shkroi Nagavci.
Siç potencon Nagavci, shuma maksimale e kësaj mbështetjeje prek shifrën e 7 mijë eurove, ndërkaq vetëm 20 studentë mund të përfitojnë nga kjo mbështetje.
“Shuma maksimale e kësaj mbështetje financiare do të jetë 7.000 euro për student/e ndërsa numri i përfituesve do të jetë 20”, ka thënë më tej Nagavci.
Ministrja e Arsimit tha se përparësi do të kenë ata që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe të teknologjisë informative e komunikimit, aplikantët me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike.
“Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra”, shtoi ajo./21Media

Back to top button