MSH i kërkon KQZ-së t’i ndërrojë 30 qendra për zgjedhje
Ministria e Shëndetësisë i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilën janë listuar 30 qendra ku po zhvillohet vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19, e që më parë janë shfrytëzuar si Qendra të vendvotimit për zgjedhje.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryeshefi i sekretariatit Burim Ahmetaj tha se Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga KQZ-ja që për organizmin e zgjedhjeve të gjenden lokacione të tjera, pasi që procesi i vaksinimit është jetik për imunizimin e popullsisë.
“Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga KQZ që për organizmin e zgjedhjeve të gjenden lokacione të tjera, sepse në objektet sipas listës është jetike procesi i vaksinimit të imunizimit të popullsisë. Kjo është arsye përse këto lokacione përdoren si qendra të vaksinimit. Sekretariati është në fazën e vlerësimit dhe të shohim se në cilat qendra mund të shfrytëzohen edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, janë dy raste të cilat I kemi evidentuar deri më tash, njëra është në komunën e Prishtinës sikurse është salla “1 Tetori” dhe një lokacion tjetër që është në komunën e Klinës”, tha Ahmetaj.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga LVV, Alim Rama tha se procesi i vaksinimit është i rëndësishëm dhe duhet të gjenden objekte tjera si qendra votimi.
“Sa i përket kërkesës nga Ministria e Shëndetësisë, duke marrë parasysh rëndësinë e procesit të vaksinimit të gjenden objekte të reja që munden me u shfrytëzuar për procesin zgjedhor”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku po diskutohet për aktivitetet e sekretariatit të KQZ-së për zgjedhjet e tetorit, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi nga LVV ka kërkuar nga kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj të largohet nga mbledhja ose ta vendos maskën.
Kurteshi tha se po ndihet i rrezikuar kur brenda ditës po vdesin 10 qytetarë si pasojë e koronavirusit.
“E kam një kërkesë, zotëri Ahmetaj, dhe dy kameramanë vendosni maskat ose dilni jashtë. Edhe zotëri kryesues, asnjë njeri në sallë nuk duhet me qenë pa maskë. Ne s’po e marrim seriozisht, por po vdesin 10 njerëz në ditë. Unë jam shumë i shqetësuar me pa përgjegjësinë e njerëzve me hyrë pa maska”, tha Kurteshi.
Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Në sallë mos të qëndroj askush pa maskë”, tha ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?