​ORCA për Këshillin Drejtues të UP-së, Himni fillon: Rreth plagjiaturës të përbashkuar!

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka realizuar një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Gjatë këtij aksioni u tha se për Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, himni fillon: Rreth plagjiaturës të përbashkuar!
Koordinatori i aktivitetit, Dibran Hoxha tha se shkarkimi i rektorit, Naser Sahiri është bërë pa asnjë justifikim të qëndrueshëm. Derisa shtoi se shkarkimi i tij ishte nga marrëveshja mes Këshillit Drejtues të UP-së me përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit.
“Për Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, himni fillon: Rreth plagjiaturës të përbashkuar! Altin Sahiti nga radhët e Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim të ngushtë me plagjiatorin Selim Bezeraj dhe infamozin Rifat Krasniqi, të premten shkarkuan rektorin Naser Sahiti pa mundur të japin asnjë justifikim të qëndrueshëm për këtë shkarkim. Kush do ta mendonte se vetëm 21 ditë pas ardhjes në pozitë të plagjiatorit dhe infamozit të cilët e filluan mandatin e tyre në Këshill Drejtues më 1 tetor, do të arrinin marrëveshje me përfaqësuesit nga radhët e Ministrisë së Arsimit për ta shkarkuar rektorin”, tha Hoxha.
Hoxha theksoi konferencën e mbajtur me 29 qershor të këtij viti nga Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci. Ai tha se pas zgjedhjes së plagjiatorit Selim Bezeraj në Këshill Drejtues, Nagavci ka mbajtur konferencë në të cilën tha se i kishte dërguar një letër Këshillit Drejtues, anëtarëve të zgjedhur prej saj, me të cilën i kërkonte anëtarëve të vet ta inicionin rastin e plagjiaturës së Selim Bezerait në Këshill Drejtues.
Sipas tij prej kësaj kohe deri tash, asnjëri prej tyre nuk e kanë dërguar rastin në Këshill të Etikës. Ai tha se përkundër kësaj kanë negociuar votën e plagjiatorit në këmbim të heshtjes dhe mos denoncimit.
Hoxha para mediave i bëri pyetje Nagavcit në lidhje me anëtarët e Këshillit Drejtues.
“Pyetja që shtrohet është, a e ka ditur ministrja Nagavci që anëtarët e vet në Këshillin Drejtues po i’a pijnë cigaren fshehur? Nëse po, a mund të na tregojnë pse kanë ndryshuar mendim për denoncimin e Selim Bezerajt në Këshill të Etikës? Dhe krejt në fund: kur do të fillojnë implementimet e premtimeve publike të saj për luftën kundër plagjiaturës. Ne si organizatë mbesim të përkushtuar që çdo javë ta denoncojmë veprimin e secilit antar të Këshillit Drejtues vec e vec deri në demaskimin total të tyre”, tha në fund Hoxha.
Ish-rektori i UP-së, Naser Sahiti është shkarkuar të premten me 8 vota për dhe një abstenim nga Këshilli Drejtues i UP-së. Në vend të tij është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi, ndërkaq gjatë ditës së djeshme është hapur konkursi për këtë pozitë.

Back to top button