​Osmani: FSK është sinonimi i shtetësisë sonë

 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka falënderuar për kontributin e tyre ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po kryejnë operacione ushtarake në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, në Deve të Gjakovës.

Ajo ka thënë se sot po jetësohet ëndrra e secilit ushtarak dhe qytetarë të Kosovës.

“U shpreh mirënjohjen time dhe të popullit për shërbimin tuaj të jashtëzakonshëm ndaj atdheut tonë. Po e shoh sot të jetësuar ëndrrën e secilit ushtarak e qytetar të Republikës së Kosovës. Të dashur oficerë te forcave tona të armatosura, të dashur ushtarak, 22 vjet më parë gra e burra të Kosovës u rreshtuan në emblemën e UÇK-së dhe dëshmuan këmbënguljen tinë për te fituar lirinë. Ata e patën guximin për të qëndruar fortë në kauzën e lirisë e patën fatin të vepronin nën flamurin e një aleance me perëndimin. E kemi ditur se duke luftuar për lirinë tonë i kemi mbrojtur vlerat e lirisë universale. 22 vjet pas, i kemi lidhur qëllimet tona me përkushtimin e partnerit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Osmani.

Osmani ka theksuar se ngritja e kapaciteteve si pjesë e planit gjithëpërfshirës sot po e merr vulën e përkrahjes nga partnerët strategjik të Kosovës.

Presidentja e vendit më tej ka shtuar se FSK-ja është sinonim i shtetësisë sonë, mbrojtjes së sovranitetit dhe i paprekshmërisë së territorit.

“Për shërbimin tuaj sot ju do të mbaheni në mend nesër e përgjithmonë, andaj ndjehuni krenar për atë që keni bërë për vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë parë sot nga afër operacionet e FSK-së në “Defender Europe 21”./21Media

 

Back to top button