​Osmani: Sulmet në veri, dëshmi se Serbia është burimi kryesor i destabilizimit në rajon

 
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të vendit ku është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok.
Osmani ka thënë se “sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”.
Osmani ka bërë thirrje që ndërkombëtarët të mos e injorojnë tendencën ruso-serbe që të destabilizojë rajonin.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, ka thënë Osmani.
Në shkrimin e saj në Facebook, Osmani ka ftuar qytetarët e Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. “Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë”./21Media

Back to top button