​PDK nuk mbështet propozim-vendimin e Qeverisë për ndryshim të deficitit buxhetor

 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë propozim vendimin e Qeverisë Hoti për ndryshim dhe tejkalimin e deficitit buxhetor.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza duke arsyetuar mos përkrahjen e këtij vendimi tha se nuk do të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore.

Ai po ashtu tha se ka paqartësi se për çka do të përdoret rritja e deficitit prej 4.2 për qind në buxhet.

“Dy për qind është brenda projeksioneve aktuale të buxhetit, po kërkoni një rritje prej 4.2 për qind. Për çka dëshironi me përdor atë deficit? A i keni shpjeguar deputetëve dhe opinionit se cili do të jetë destinacioni apo përdorimi final i këtyre fondeve? A do të jetë për t’i mbuluar minusin te pjesa e të hyrave ku sigurisht edhe qeveria e kaluar dhe aktuale do të përdorin pandeminë si arsye për dështimet e veta. E dimë që ka pasur efekt, por a do të përdorni për të mbuluar mungesën e të hyrave që do të jetë mbi 200 milionë euro? A do të jetë për të mbuluar minuset e krijuara brenda buxhetit? Keni krijuar minuse edhe te pagat edhe te pensionet edhe në shumë pozicione. Është mirë qe edhe kur është qëllimi i mirë të bëhet me ligj”, tha ai.

Qeveria Hoti në mbledhjen e javës së kaluar i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votojë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.

Back to top button