​Prokuroria deklarohet pas arrestimit të një tjetër të dyshuari për vrasjen në Gllogjan

 
Është arrestuar dje edhe një i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar sot se lidhur me rastin e vrasjes se trefishtë në Gllogjan të Komunës së Deçanit, ka ndaluar K.M., nën dyshimin se i njëjtit ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”.
Prokurorja e çështjes, në vazhdën e hetimeve intensive për rastin në fjalë, ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e K.M., i cili fillimisht është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, brenda afatit ligjore, prokurorja e çështjes, ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës.
“Për rastin tragjik i cili mori jetën e tre personave dhe plagosjen e një personi, kjo prokurori është duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme deri në ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.
Kujtojmë që mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që po lëvizte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës të shkollës së mesme.
Policia hodhi poshtë pretendimet se sulmi ka motive terroriste./21Media

Back to top button