​Simmons: EULEX synon eliminimin politik të “peshqve të mëdhenj”

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons raportoi paraditen e së hënës në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës. Për tri orë rresht, para deputetëve, Simmons adresoi një varg akuzash ndaj punës ndër vite të EULEX-it në Kosovë.
Përmes një videolidhjeje, ai tha se EULEX ka synuar të largojë nga jeta politike personat që iu referohej si “peshqit e mëdhenj”, derisa paraqiti raste, ku sipas tij qëllimi ishte vetëm dënimi dhe jo vendosja e drejtësisë. Krahas kësaj, Simmons tha se është bërë shumë pak në zbulimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Kosovë edhe pse në vitin 2014 ka zbuluar dokumente, ku përfshihen informata për të dyshuarit serbë dhe të gjitha të dhënat personale të viktimave kosovare.
Megjithatë, tha se në këtë fazë nuk mund të jap të dhëna të detajuara, mirëpo nëse komisioni vendosë të hap një hetim të plotë, ai do të ofrojë detaje dhe dokumentacion për t’i mbështetur pretendimet e tij.
“Misioni synon largimin nga jeta politike personat që ai iu referohej si ‘peshqit e mëdhenj’. Gjatë asaj bisede më është thënë: pres të shoh gjykatësit e EULEX të dënojnë të akuzuarit nga misioni. Më është bërë e qartë se suksesi do të matej me numrin e dënimeve”, tha ai.
Simmons tha se kur ka diskutuar me EULEX se pse nuk shtyhen përpara hetimet e krimeve të luftës të kryera nga të dyshuar serbë, atij i është thënë se autoritet serbe nuk i kanë resurset dhe vullnetin për t’i hulumtuar ato.
“Kur jam bërë kryetari i gjykatësve të EULEX e kam pa se shumë pak po bëhet për të hulumtuar raste kundër të akuzuarave me prejardhje serbe, shumë prej tyre kanë ikur nga Kosova. Pse nuk është bërë që këta njerëz të dalin para gjykatës ndërkombëtare siç është Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pse BE nuk po përfshihet me Beogradit që edhe të akuzuarave me prejardhje serbe të vihen para drejtësisë. Kur jam bërë kryetar i këshillit më 2014 kam zbuluar shumë dokumente të ndryshme të krimeve të luftës që janë të prokurorëve serbe. Këto akuza të dyshuara të kryer të etnisë serbe gjatë konfliktit, këto dokumente kanë përfshirë informata për këta persona, por edhe të dhënat personale të viktimave kosovare që kanë qenë viktima të këtyre krimeve. Këto krime janë bërë në Kosovë kundër banorëve të Kosovës nga njerëz me prejardhje etnike serbe, të cilët shumë prej tyre nuk janë qytetarë të Kosovës. Kur kam diskutuar këtë çështje me EULEX ata kanë thënë që autoritetet serbe nuk i kanë resurset dhe vullnetit për t’i hulumtuar këto krime. Ata e kanë ditur që në realitet këto raste nuk duhet të hulumtohen fare, pavarësisht burimeve që janë në dispozicion”, shtoi Simmons.
Për të argumentuar pretendimet e tij, Simmons përmendi edhe gjykimin në rastin “Kleçka” ku ishte i përfshirë edhe Fatmir Limaj.
“Drenica nuk ishte rasti i vetëm ku BE e ka konsideruar si pjesë të rëndësishëm të dialogut Prishtinë-Beograd. Në vitin 2013 kam qenë caktuar si kryesues te paneli i rastit ‘Kleçka’, ku ishte i përfshirë edhe politikani Fatmir Limaj. Gjykimi i parë ka përfunduar i drejtuar nga një gjykatës britanik ku është thënë se ka dëshmi të pamjaftueshme për të akuzuarit. Gjykatësi nuk ka humbur kohë për të shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me lirimin në rastin e ‘Kleçkës’. Sipas fjalëve të tij, shtetet anëtare të BE-së presin dënime, më shumë se një herë më është thënë se nëse nuk e rrisim numrin e dënimeve shtetet anëtare nuk do të arsyetojnë shpenzimet e larta dhe të gjithë do të jemi të papunë”, deklaroi ai.
Lidhur me këto deklarata, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se po shihet se dënimet kanë qenë politike me prova degraduese, të cilat po përdoren tash edhe në Gjykatën Speciale.
“Po shihet qartë se dënimet kryesisht kanë qenë politike me prova degraduese. Megjithatë ne dyshojmë se të njëjtat prova janë ricikluar në Kosovë, lidhur e dënime politike dhe në raport me UÇK-në. Ne e shohim se provat e njëjta janë shkuar në procese gjyqësore, shohim edhe në Dhomat e Specializuar janë të njëjta prova”, tha Beqa.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se po dëshmohet se EULEX ka ardhur në Kosovë për t’i disiplinuar politikanët, e jo për të ndarë drejtësinë.
“Ajo që po dëshmohet është se EULEX ka ardhur në Kosovë për të disiplinuar politikanët tanë, e jo për të ndarë drejtësinë”, shtoi Lekaj.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u interesua më shumë për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.
“Nuk na thatë asgjë për krimet e personave politikë, konkretisht të LDK-së dhe përkrahës të presidentit Ibrahim Rugova që akoma janë të pazbuluara në Kosovë. A ka pasur ndërhyrje politike në këtë pjesë, çfarë informacionesh keni ju, nga kush kanë ardhur këto ndërhyrje politike”, tha ai.
I pyetur nga deputetët, Simmons foli edhe për Gjykatën Speciale, ku tha se Qeveria e Kosovës duhet ta kundërshtojë të njëjtën në mënyrën si po funksionon, pasi është një etnike dhe vetëm për t’i dënuar ish-komandantët e UÇK-së.
“Duhet të ketë kundërshtime nga ana e Qeverisë së Kosovës në mënyrën si po funksionon kjo gjykatë. Me thënë të drejtën është një gjykatë etnike dhe është thjesht aty për të ndëshkuar shqiptarët edhe ish-komandantët e UÇK-së”, tha ai.
Tutje, Simmons tha se ka edhe ish-pjesëtarë të tjerë të EULEX-it që kanë shprehur gatishmërinë për të paraqitur pretendimet e tij për parregullsi në këtë institucion, por vetëm si pjesë e një hetimi të plotë.

Back to top button