Kaloni te përmbajtja kryesore

1 vit e 9 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë ndaj njërit të akuzuar në rastin “AlbKings”

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit e 9 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë të akuzuarin F.P., lidhur me rastin “AlbKings”.

Aktgjykimi ndaj F.P., për veprat penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve” dhe “Shantazh” u shpall të enjten.

“I akuzuari F.P. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e nëntë (9) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet ne afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, koha e kaluar nën masën e paraburgimit si dhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak për të akuzuarin F.P., do të llogaritet në dënimin e shqiptuar, po ashtu i akuzuari F.P. është dënuar edhe me dënim me gjobë në shumë prej pesëmijë (5000) euro, të cilin dënim është i obliguar që ta paguaj në afat prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”, njofton Gjykata.

Bëhet e ditur se është konfiskuar telefoni ‘Techno park’ pronë e të akuzuarit F.P., kurse i kthehet telefoni ‘Samsung’ i dëmtuar, të pandehurit F.P., i sekuestruar sipas urdhrit ndalues përfundimtar të datës 1 korrik 2024.

Në njoftim thuhet se i akuzuari F.P. në vazhdimësi nga muaji shkurt i vitit 2023 e deri në muajin maj 2024 në Gjilan, përkatësisht nga banesa e tij përmes telefonit personal “Techno Park” , në cilësi të administratorit kryesor në grupet “Albkings” dhe “Vip Albania” dhe në grupe të tjera, në aplikacionin Telegram, me nofkën “Lideri” e duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurën E. S., me nofkën “Liderja”, me qëllim të denigrimit të viktimave të gjinisë femërore nga qytete të ndryshme të Kosovës, ka shpërndarë dhe ka lejuar shpërndarjen në grup nga ana e personave të tretë (anëtarë të grupit) në grupet e krijuara nga i akuzuari, pa autorizim fotografi dhe video të ndjeshme të 12 viktimave si dhe të dhënat personale siç janë numrat e telefonave, emrat dhe mbiemrat dhe kredencialet e tjera të këtyre të dëmtuarave.

“Po ashtu, në vazhdimësi nga data 20.02.2024 deri më datë 20.05.2024 në Gjilan, përkatësisht nga banesa e përmes telefonit personal “Techno Park” me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete, duke shfrytëzuar gjendjen dhe pozitën e rëndë në të cilat janë gjendur viktimat e veprave penale, me qëllim që t’iu fshihen postimet denigruese nga grupi ku janë postuar, i akuzuari F.P. nga viktimat e veprave penale, familjarëve apo shoqërisë së tyre, ka kërkuar mjete monetare në shuma të ndryshme dhe pagesat i ka pranuar në valutën dollarë përmes ‘PayPal’ në formë të kripto valutave – para digjitale, në llogaritë e tij me userat ‘[email protected]’,‘[email protected]’, ‘[email protected]’ dhe ‘[email protected]’, e të cilat më pas i ka konvertuar në para fizike në pikën e ExCoins në Gjilan, me ç’rast ka përfituar vlerën monetare në shumë totale prej 2,344.44”, thuhet në njoftim.

Obligohet i pandehuri F.P., që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, ndërsa ne emër te fondit të viktimave te krimit të paguaj shumën prej 20 euro, në afat prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt civilo – juridik.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Dënimin e F.P., e konfirmoi edhe avokati Kujtim Kërveshi, përfaqësues i palës së dëmtuar, i cili theksoi se i akuzuari tjetër E.N., gjendet në arrati.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 janar 2025 njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N., dhe E.S., lidhur me rastin “Albkings”. /BetimipërDrejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button